Katër të rinj plagosen me armë në Laç, mes tyre lëndohet dhe një e moshuar që shiste qirinj

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme në Laç. Raportohet se 5 persona kanë mbetur të plagosur pas një konflikti, teksa mësohet se këta të fundit ndodhen tek spitali Universitar i Traumës në sallë operacioni dhe dy persona ndodhen në gjendje të intubuar. Nga të dhënat e para mësohet se disa të rinj janë konfliktuar dhe pas përdorimit të armëve janë plagosur ata dhe një e moshuar që shiste qirinj. Ngjarja ka ndodhur në rrugën që të çon në Kishën e Laçit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 13.30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjari shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.