Naim Murseli e ka vrarë gruan me mendje të kthjellët

Naim Murseli ishte me mendje të kthjellët, pa vuajtur as nga ndonjë problem psikologjik e as ndonjë varësi kur u vra gruaja e tij Liridona Ademaj.
Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Naim Murselit, i dyshuar për organizimin dhe porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Sipas raportit përfundimtar, Murseli është shpallur plotësisht i përgjegjshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.
Ekspertiza mjekësore arrin në përfundimin se ai ka qenë në gjendje të plotë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme mendore në kohën kur ka ndodhur ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik në fund të vitit 2023. Kjo do të thotë se ai ka qenë në gjendje të kuptojë dhe të kontrollojë veprimet e tij dhe rrjedhimisht mund të përballet me dënimin maksimal të parashikuar nga ligji për një vepër të tillë.
Ky vlerësim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij, pasi përjashton çdo pretendim të mundshëm për gjendje të rënduar mendore si rrethanë lehtësuese.
Rikujtojmë se Naim Murseli u arrestua pak pas ngjarjes së rëndë, e cila në fillim u paraqit si një grabitje me pasoja fatale, por hetimet zbuluan më vonë se ai kishte organizuar ekzekutimin e bashkëshortes së tij për motive që ende sot janë të paqarta.
Naim Murseli ftoi për darkë gruan e tij dhe dy fëmijët e vegjël. Pasi darkuan, u nisën me makinën e tyre dhe në të dalë të Prishtinës vrasësit (të porositur dhe paguar nga Murseli) i zunë pritë dhe vranë Liridonën.
Naimi mori dy djemtë e vegjël dhe u largua i qetë derisa lajmëroi policinë dhe e shiti ngjarjen si grabitje.
Pak pas funeralit të Liridona Ademajt u zbulua se vrasësit kishin ngrënë darkë në të njëjtin lokal me ta dhe kishin pasur biseda telefonike me Murselin.
Këto dhe të tjera detaje u shndërruan në prova bindëse se Naim Murseli porositi dhe ishte prezent në ekzekutimin e gruas së tij.