Kronikë e zezë

'Ndize ekspresin'. Si sherri për një kafe shkaktoi 2 viktima në Durrës

'Ndize ekspresin'. Si sherri për një kafe shkaktoi 2 viktima

Dy të rinj, Aranit Kurti dhe Flori Paluçi humbën jetën pak pas mesnate në Durrës.

Ngjarja ndodhi në orën 01:45, në Manzë të Durrësit. Sa i përket dinamikës së ngjarjes, Aranit Kurti dyshohet se është vrarë nga Flori Paluçi.

Ndërsa më pas Flori Paluçi është vrarë nga Daniel Pepa ( shok i Kurtit), i cili është në kërkim.

Sipas burimeve njëri prej viktimave me një tjetër person kanë shkuar në ambientet e një lokali ku i kanë kërkuar kamerierit të lokalit që t’i bëjë kafe. Ky i fundit u ka thënë se është ekspresi i fikur.

Më pas, situata është përshkallëzuar shpejt dhe në konflikt është përfshirë edhe një person tjetër që ndodhej në lokal.

Sipas policisë, Flori Paluçi ka qëlluar me armë ndaj Aranit Kurtit, duke e lënë të vdekur në vend dhe menjëherë pas kësaj, 21-vjeçari Daniel Pepa ka qëlluar për vdekje Flori Paluçin.

Gjithashtu mësohet se kamerieri nuk ka mbetur as i plagosur dhe as viktimë në këtë ngjarje.

Bëhet me dije se një nga viktimat, Flori Paluçi ka qenë me probleme jashtë vendit për krime. Ndërsa autori, Daniel Pepa, i cili është në kërkim nga policia njihet si i ri problematik në zonë.