Kronikë e zezë

Zbardhet pas 7 vitesh ngjarja e Korçës. Antonio Karafili u vra nga partnerja dhe i dashuri i saj që e bënë të dukej si vetëvrasje

Zbardhet pas 7 vitesh ngjarja e Korçës. Antonio Karafili u vra nga

Nuk ishte vetëvrasje. Shtatë vite më vonë është zbardhur një ngjarje e rëndë që ndodhi në Voskopojë.

Shtatë vite pas vdekjes misterioze të të riut Antonio Karafili në Voskopojë, prokuroria e Korçës ka arritur të zbardhë ngjarjen, duke identifikuar autorët e vërtetë të krimit: Rexhep Vathi dhe Kejsi Spaillari.

Nga hetimet e thelluara rezulton se Spaillari, në atë kohë 18 vjeçe, bashkë me partnerin e saj Rexhep Vathi, kanë inskenuar një vetëvrasje. Dyshohet se e kanë mbytur Antonion me çarçaf dhe më pas kanë varur trupin në një pishë, për t’u dhënë autoriteteve përshtypjen se i riu kishte vendosur t’i jepte fund jetës.

Një provë kyçe në zbardhjen e ngjarjes ishte një gjurmë ADN-je e gjetur në çarçafin që ishte përdorur për të lidhur viktimën. Kjo dëshmi çoi në identifikimin e Kejsi Spaillarit, ndaj së cilës është lëshuar urdhër-arrest për “vrasje me dashje në bashkëpunim”. Aktualisht, ajo ndodhet jashtë vendit, me banim në Kanada.

Rexhep Vathi ka ndërruar jetë përmes vetëvrasjes pas ngjarjes

Edhe për të, hetimi ka siguruar të njëjtën provë biologjike që e lidh me skenën e krimit.

Ngjarja tragjike ndodhi në vitin 2018 dhe dyshohet se motivi ka qenë një lidhje e ndërlikuar dashurie. Kejsi kishte një raport paralel si me Antonion ashtu edhe me Rexhepin. Mbrëmjen fatale, çifti kishte debatuar për xhelozi dhe më pas ishin ndarë. Më vonë, Kejsi i ka komunikuar nënës së Antonios se ai ishte vetëvarur.

Pikërisht këtu nisën edhe dyshimet e familjes Karafili, pasi nëna e viktimës e gjeti trupin me këmbët në tokë, një pozicion i pazakontë për një vetëvrasje me varje. Për më tepër, në duart e Antonios nuk u gjet asnjë gjurmë që të tregonte përpjekje për t’u ngjitur vetë në pemë.

Megjithëse fillimisht policia e regjistroi ngjarjen si vetëvrasje, më vonë, gjyqtari Arben Lena vendosi kthimin e çështjes për rihetim. Kjo solli riorientimin e hetimit drejt një vrasjeje të paramenduar, e cila u konfirmua përmes analizave shkencore dhe dëshmive të reja.

Pas shumë vitesh pasigurie dhe pikëpyetjesh, familjarët e Antonio Karafilit tashmë kanë një version zyrtar për atë që i ndodhi djalit të tyre.