Brazili kthehet majtas! Lula zgjidhet president në një rikthim historik
Lula da Silva do të kthehet në presidencën e Brazilit.
Luiz Inácio “Lula” da Silva është zgjedhur presidenti i ardhshëm i Brazilit, në një rikthim mahnitës pas një balotazhi të ngushtë të dielën. Fitorja e tij sjell rikthimin e së majtës, pas katër viteve të administratës së ekstremit të djathtë të Jair Bolsonaro.
Fitorja e politikanit 76-vjeçar përfaqëson kthimin e së majtës në pushtet në Brazil dhe një rikthim personal triumfues për Lula da Silva, pas një sërë akuzash për korrupsion që çuan në burgimin e tij për 580 ditë. Dënimet u anuluan më vonë nga Gjykata e Lartë, duke i hapur rrugën për të kandiduar.
"Ata u përpoqën të më varrosnin të gjallë dhe unë jam këtu", tha ai në një fjalim ngazëllyes para mbështetësve dhe gazetarëve të dielën në mbrëmje, duke e përshkruar fitoren si "ringjalljen" e tij politike.
“Duke filluar nga 1 janari i 2023-shit, unë do të qeveris për 215 milionë brazilianët, jo vetëm ata që votuan për mua. Nuk ka dy Brazil. Ne jemi një vend, një popull, një komb i madh”, tha gjithashtu Lula da Silva.
Ai do të marrë frenat e një vendi të rrënuar nga pabarazia që ende po përpiqet të rikuperohet nga pandemia Covid-19. Përafërsisht 9.6 milionë njerëz ranë nën kufirin e varfërisë midis 2019 dhe 2021-shit, dhe shkalla e arsimimit dhe ndjekjes së shkollës ka rënë. Ai gjithashtu do të përballet me një komb të brishtë, me çështje urgjente mjedisore, duke përfshirë shpyllëzimin e shfrenuar në Amazon.