Lajme nga Bota

Çfarë është operacioni ‘flamuri i rremë’ që Rusia mund të përdorë për të sulmuar Ukrainën?

Çfarë është operacioni ‘flamuri i rremë’

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar vazhdimisht se Rusia mund të kryejë një operacion 'flamur të rremë' për ta shfrytëzuar si një pretekst për të nisur operacione ushtarake në Ukrainë. Por çfarë është ‘flamuri i rremë’?

Operacionet e ‘flamurit të rremë’ janë ato që kryhen me qëllimin që pala përgjegjëse për sulmin të fajësojë një dikë tjetër.

Termi e ka origjinën nga lufta detare në shekullin e 16-të, kur anijet - fillimisht ato të piratëve - mbanin flamujt e kombeve të tjera për të arritur elementin e befasisë.

Ka pasur shembuj të shumtë të operacioneve të flamurit të rremë në histori.

Në incidentin e Mukdenit të vitit 1931, për shembull, agjentët japonezë sabotuan një pjesë të hekurudhës, gjë që i dha pretekst për të sulmuar dhe pushtuar Mançurinë.

Tetë vjet më vonë, agjentët gjermanë shpikën një sulm në një stacion radioje përgjatë kufirit polak më 31 gusht 1939, ku qëlluan e vranë civilë që më pas i veshën me uniforma ushtarake polake.

Çfarë është operacioni ‘flamuri i rremë’
Gjermania naziste organizoi operacionin 'flamuri i rremë' pak përpara se të pushtonte Poloninë në 1939.

Incidenti u përdor më vonë si pretekst që forcat gjermane të pushtonin Poloninë, duke shënuar fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarët rusë kanë mohuar vazhdimisht pretendimet e SHBA-së se ata planifikojnë një operacion të ngjashëm për të filluar pushtimin e Ukrainës.

Megjithatë Ukraina dhe aleatët e saj përsërisin që Moska po kërkon pretekst për të pushtuar Ukrainën nisur nga situata në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës ku rebelët e mbështetur nga Rusia njoftuan evakuimin masiv të banorëve duke thënë se Ukraina ka intensifikuar bombardimet në rajon. Megjithatë nuk ka asnjë provë që të kenë ndodhur granatimet.