Lajme nga Bota

Kameramani i Fox News vritet në Kiev gjatë bombardimeve ruse

Kameramani i Fox News vritet në Kiev gjatë bombardimeve ruse
Kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski është vrarë teksa raportonte pranë Kievit. Lajmi është konfirmuar nga drejtoresha e medias amerikane Suzanne Scott e cila thotë se Zakrzewski u vra dhe kolegu i tij, Benjamin Hall, u plagos kur automjeti i tyre u godit nga bombardimet ruse dje në hyrje të Horenka, rreth 20 km në veri-perëndim të kryeqytetit.

"Pierre ishte një fotograf i zonës së luftës që mbuloi pothuajse çdo histori ndërkombëtare për Fox News nga Iraku në Afganistan e deri në Siri gjatë punës së tij të gjatë me ne," thotë ajo. “Pasioni dhe talenti i tij si gazetar ishin të pakrahasueshëm”.

Hall, një korrespondent britanik 39-vjeçar, ende është në spital pas incidentit.

Vdekja e kameramanit amerikan vjen pasi Brent Renaud, një regjisor amerikan mbeti i vrarë të dielën në Irpin.