Lajme nga Bota

Përfundojnë negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës

Përfundojnë negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës

Bisedimet midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas në kufirin me Bjellorusinë kanë përfunduar sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass, raporton The Guardian.

Agjencia e lajmeve Ria citon një zyrtar ukrainas të ketë thënë se të dyja palët do të kthehen në kryeqytetet e tyre përkatëse për konsultime të mëtejshme, përpara se të marrin pjesë në një raund të dytë bisedimesh.

Ukraina ka thënë se dëshiron armëpushim dhe tërheqje të ushtrisë ruse, ndërsa Kremlini ka thënë se nuk do ta bëjë publik qëndrimin e tij.

Mykhailo Podoliyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi tha pas takimet se negociatat janë të vështira, por pa ndonjë ultimatum detyrues.

“Fatkeqësisht, pala ruse është ende tejet e njëanshme sa i përket procesit shkatërrues që ka nisur”, ka bërë të ditur këshilltari i presidentit Zelenski përmes rrjetit social Twitter.

Bisedimet filluan pak para orës 12. Delegacioni Ukrainas përbëhej nga ministri i mbrojtjes dhe zëvëndës ministri i Jashtëm dhe kërkoi armëpushim dhe tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina sipas raportimeve të mediave të huaja. Ndërkohë, Moska më herët deklaroi se dëshiron të arrijë një marrëveshje që ishte në interes të të dyja palëve.

Vendodhja e saktë e vend-takimit u mbajt sekret për arsye sigurie, e vetmja gjë që dihet është se godina ku u bënë bisedimet ndodhej në brigjet e lumit Pripyat në rajonin Gomel të Bjellorusisë.