Lajme nga Bota

Lavrov: Disa marrëveshje me Ukrainën janë afër arritjes

Lavrov: Disa marrëveshje me Ukrainën janë afër arritjes

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar së fundmi se disa marrëveshje me Ukrainën janë afër arritjes.

"Statusi neutral tani po diskutohet seriozisht së bashku, natyrisht, me garancitë e sigurisë. Kjo është ajo që po diskutohet tani në bisedime. Ka formulime absolutisht specifike dhe sipas meje, palët janë afër marrëveshjes për to", tha Lavrov.

Megjithatë, ai tha se ka edhe çështje të tjera të rëndësishme për t’u zgjidhur, duke përfshirë përdorimin e gjuhës ruse në Ukrainë dhe lirinë e fjalës, raportoi Reuters.

“Shtetet e Bashkuara kanë një rol vendimtar në përcaktimin e pozicionit të autoriteteve ukrainase, por sot, ne nuk shohim asnjë interes nga Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur shpejt këtë konflikt”, shtoi Lavrov.

Deklaratat e tij vijnë pasi negociatori rus, Vladimir Medinsky, tha se bisedimet me Ukrainën janë të vështira dhe të ngadalta, por që Rusia dëshiron paqen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Negociatat janë të vështira, por po ecin ngadalë. Sigurisht, ne do të donim që gjithçka të ndodhte shumë më shpejt, kjo është një dëshirë e sinqertë e palës ruse. Ne duam të arrijmë në paqe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Medinsky.

"Ne kemi nevojë për një Ukrainë paqësore, të lirë, të pavarur, neutrale - jo një anëtare e blloqeve ushtarake, jo një anëtare të NATO-s," shtoi ai.

Tiranapost.al