Lajme nga Bota

Presidenti ukrainas: Forcat ruse drejt kontrollit të centralit bërthamor të Çernobilit

Presidenti ukrainas: Forcat ruse drejt kontrollit të centralit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkruar në Twitter se forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin e centralit bërthamor të Çernobilit.

“Forcat pushtuese ruse po përpiqen të marrin kontrollin e Centralit Bërthamor të Chernobilit. Mbrojtësit tanë po sakrifikojnë jetën e tyre që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet. Kjo është një shpallje lufte kundër gjithë Evropës.”, shkroi Zelensky në Twitter.

Zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Anton Gerashchenko shprehu shqetësimin se artileria mund të godiste reaktorin nëse luftimet do t'i afroheshin atij, duke shkaktuar përhapjen e pluhurit bërthamor radioaktiv në rajon.

Shpërthimi në centralin bërthamor të Çernobilit 36 vjet më parë konsiderohet si tragjedia më e madhe bërthamore në historinë e njerëzimit, jo vetëm për shkak të numrit të të vdekurve, por edhe pasojat e rënda që la më pas.