Primabalerina ruse largohet nga trupa e baletit Bolshoi pasi doli kundër luftës në Ukrainë

Primabalerina Olga Smirnova, një nga emrat më të mëdhenj të kërcimit në Rusi, është larguar nga trupa e Baletit Bolshoi në Moskë pasi denoncoi pushtimin rus të Ukrainës.
Sot u njoftua se Smirnova, e cila ka lindur dhe është rritur në Shën Petersburg i është bashkuar Baletit Kombëtar Holandez, ku do të fillojë punë menjëherë së bashku me solistin brazilian Victor Caixeta, i cili është larguar nga Baleti Mariinsky në Shën Petersburg për shkak të qëndrimit kundër luftës.
Në një deklaratë Baleti Kombëtar Holandez tha se pushtimi e kishte bërë të pamundur që Smirnova të vazhdojë të punojë në Rusi. Në fillim të këtij muaji, ajo postoi një mesazh emocionues në aplikacionin e mediave sociale Telegram duke thënë se ishte kundër luftës “me të gjithë fuqinë e shpirtit”.
Balerina e cila ka një gjysh ukrainas tha se nuk mund të qëndronte indiferente ndaj kësaj katastrofe globale dhe se ajo priste që çështjet politike të zgjidheshin vetëm përmes negociatave paqësore.
“Nuk e kam menduar kurrë se do të më vinte turp për Rusinë, gjithmonë kam qenë krenar për njerëzit e talentuar rusë, për arritjet tona kulturore dhe atletike. Por tani ndjej se është vendosur një vijë që ndan para dhe pas.” ka thënë ajo.