Lajme nga Bota

Pse po e pushton Rusia Ukrainën? Konflikti i shpjeguar në 5 çështje kryesore

Pse po e pushton Rusia Ukrainën? Konflikti i shpjeguar në 5

Për muaj të tërë, presidenti i Rusisë Vladimir Putin mohoi planet për të sulmuar Ukrainën, por mëngjesin e sotëm ai njoftoi një "operacion special ushtarak" në rajonin e Donbasit, në Ukrainën lindore. Pak minuta pas njoftimit të drejtpërdrejtë në televizion pati sulme me raketa në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev dhe në pjesë të tjera të vendit.

Veprimet e fundit të Putinit vijnë disa ditë pasi ai prishi marrëveshjen e paqes duke njohur 2 zonat separatiste rebele të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, dhe dërgoi trupat në dy rajone lindore të kontrolluara nga rebelët, me fjalët e tij për të "ruajtur paqen".

Një historik i shkurtër i historisë së tensioneve të vazhdueshme dhe luftës në 2014 midis Rusisë e Ukrainës

Rusia sulmoi Ukrainën kur presidenti i saj pro-rus u rrëzua në fillim të vitit 2014. Lufta në lindje ka marrë që atëherë më shumë se 14,000 jetë. Në këtë kohë rebelët e mbështetur nga presidenti Putin kishin pushtuar zona të mëdha të Ukrainës lindore dhe që atëherë e deri më sot kanë pasur vazhdimisht tensione me ushtrinë e Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen e paqes së Minskut në 2014 dhe 2015 për të ndaluar konfliktin e vazhdueshëm midis separatistëve pro-rusë dhe administratës së Kievit. Marrëveshjet përfshinin armëpushim në rajon, shkëmbimin e të burgosurve dhe lejuan administratën e Kievit të bënte një ndryshim kushtetues që do t’i jepte status të veçantë rajonit Donbas. Nga ana tjetër, separatistët pro-rusë duhej të tërhiqnin armët e tyre në kufirin Ukrainë-Rusi. Por konflikti ka vazhduar, dhe dërgimin e trupave ushtarake "paqeruajtëse" sipas Rusisë në zonat e kontrolluara nga rebelët, Perëndimi e quajti një përpjekje të Moskës për të pushtuar një territor sovran.

Si një ish-republikë sovjetike, Ukraina ka lidhje të thella social-kulturore me Rusinë, atje ende flitet rusisht në një shkallë të gjerë, por që pas pushtimit rus në 2014 marrëdhëniet janë prishur.

Pse njohja e zonave rebele ishte një lëvizje provokuese nga Rusia?

Deri më tani të ashtuquajturat republika popullore të Donetskut dhe Luhanskut janë drejtuar nga përfaqësues rusë. Sipas dekretit të Putinit për njohjen e tyre si të pavarura, trupat ruse u stacionuan atje dhe mund të ndërtojnë baza ushtarake.

Duke dërguar trupat ruse në një zonë ku çdo ditë ka qindra shkelje të armëpushimit, sigurisht që rreziku i luftës rritet gjithmonë e më shumë.

Dy zonat rebele nuk pretendojnë vetëm territorin e kufizuar që zotërojnë, por duan të gjitha rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës.

Ukraina ka ndërtuar forcat e saj të armatosura në vitet e fundit dhe ushtria ka thirrur të gjithë civilët të moshave 18-60 vjeç. Megjithatë në krahasim me forcat ushtarake ruse janë të pakta.

Pse po e pushton Rusia Ukrainën? Konflikti i shpjeguar në 5
Krahasim i forcave ushtarake ruse dhe atyre ukrainase

Çfarë mund të bëjë Perëndimi?

Perëndimi i ka dënuar sulmet e Rusisë dhe kanë njoftuar disa sanksione që nga përshkallëzimi i tensioneve midis Rusisë e Ukrainës. Por NATO e ka bërë të qartë se nuk ka plan të dërgojë trupa luftarake në Ukrainë, për sa kohë nuk cënohet apo sulmohet ndonjë shtet anëtar i aleancës.

Lexoni sanksionet që i janë vendosur Rusisë deri më tani në linqet më poshtë.

Çfarë dëshiron Putin?

Rusia ka kundërshtuar prej kohësh përpjekjet e Ukrainës për t’iu bashkuar institucioneve evropiane, si NATO dhe BE. Putin kërkon garanci nga Perëndimi se Ukraina nuk do të bashkohet kurrë me NATO-n, një aleancë mbrojtëse e 30 vendeve, dhe që Ukraina të çmilitarizohet dhe të bëhet një shtet neutral. Putin është shprehur se nëse Ukraina bashkohet me NATO-n, aleanca mund të përpiqet të rimarrë Krimenë.

Rusia ka folur për një "moment të së vërtetës" në riformulimin e marrëdhënieve të saj me NATO-n dhe ka theksuar tre kërkesa.

Së pari, ajo kërkon një zotim ligjërisht të detyrueshëm se NATO nuk do të zgjerohet më tej. “Për ne është absolutisht e detyrueshme të sigurojmë që Ukraina të mos bëhet kurrë, asnjëherë anëtare e NATO-s”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov.

Në vitin 1994, Rusia nënshkroi një marrëveshje për të respektuar pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës së pavarur. Por vitin e kaluar presidenti Putin shkroi një artikull të gjatë duke i përshkruar rusët dhe ukrainasit si "një komb" dhe tani ai ka pohuar se Ukraina moderne është krijuar tërësisht nga Rusia komuniste. Ai e sheh rënien e Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991 si "shpërbërje të Rusisë historike".

Kërkesat e tjera thelbësore të tij janë që NATO të mos vendosë "armë pranë kufijve të Rusisë" dhe që të heqë forcat dhe infrastrukturën ushtarake nga vendet anëtare që iu bashkuan aleancës që nga viti 1997.

Pse po e pushton Rusia Ukrainën? Konflikti i shpjeguar në 5
Truapat e NATO-s në Europën Lindore

Këtu përfshihen vende nga Evropa Qendrore, Evropa Lindore dhe Balltiku. Në realitet, Rusia dëshiron që NATO të kthehet në kufijtë e saj të para vitit 1997.

Pse po e pushton Rusia Ukrainën? Konflikti i shpjeguar në 5
Zgjerimi i NATO-s që nga viti 1997. Në lejla të hapur janë vendet që iu bashkuan NATO-s pas 1997

A ka më vend për zgjidhje diplomatike?

Pas bombardimeve të ndodhura në dy intervale kohore, në mëngjesin e ditës së sotme dhe në orët e mesditës Putin nuk ka pranuar që Rusia ka filluar pushtimin, por thotë se po kryejnë stërvitje.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres kërkoi nga Putin që të mundësonte zgjidhjen diplomatike të konfliktit, nëse mund të quhet më ashtu. Në mbledhjen e OKB-së, në orët e para të mëngjesit të organizuar për shkak të bombardimeve ruse ai tha: “President Putin urdhëro trupat e tua ushtarake të ndalojnë sulmin ndaj Ukrainës. Jepi paqes nje shans. Mjaft njerëz kanë vdekur."

Po ndërkohë liderët e shteteve Perëndimore dhe presidenti i Amerikës Biden thonë se do t’i përgjigjen ashpër vendimit të Rusisë për të pushtuar Ukrainën.