SHBA miraton projektligjin që pezullon marrëdhëniet normale tregtare me Rusinë dhe Bjellorusinë

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA miratoi një projekt-ligj që pezullon marrëdhëniet normale tregtare me Rusinë dhe Bjellorusinë – përpjekja më e fundit e ligjvënësve amerikanë për t'i shkaktuar “dhimbje ekonomike” Rusisë për shkak të pushtimit të saj të paprovokuar të Ukrainës.
Votimi u mbështet fort nga të dyja partitë pasi 424 vota ishin pro legjislacionit ndërsa vetëm 8 ishin kundër. Projekt-ligji tani pritet të shkojë në Senat.
Miratimi i legjislacionit vjen një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim virtual në Kongres ku kërkoi rritjen e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën.
Presidenti Joe Biden njoftoi javën e kaluar se SHBA, së bashku me G7 dhe Bashkimin Evropian, do të revokonin statusin e "kombit të favorizuar" për Rusinë, status që i referohet marrëdhënieve të përhershme tregtare normale në SHBA. Statusi nënkupton se dy kombet tregtojnë me kushtet më të mira të mundshme, si tarifa më të ulëta dhe më pak barriera për tregtinë, tha Biden.