SHBA vendos sanksione të tjera ndaj Lukashenkos

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, i cili ka qenë aleat i luftës së Rusisë në Ukrainë.
Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, disa rusë të tjerë, duke përfshirë një gjykatës rus, u sanksionuan për shkelje të të drejtave të njeriut.
Sanksionet u aplikuan ndaj Lukashenkos si dhe gruas së tij, Halina. Sipas tyre do të bllokohen pronat dhe asetet e tyre të tjera në Shtetet e Bashkuara dhe do të ndalohet që amerikanët të bëjnë biznes apo të kryejnë transaksione me ta.
"Sanksionet e sotme tregojnë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të imponojnë pasoja konkrete dhe domethënëse për ata që përfshihen në korrupsion ose janë të lidhur me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut," tha Andrea Gacki, drejtori i Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja. “Ne dënojmë sulmet e Rusisë ndaj korridoreve humanitare në Ukrainë dhe i bëjmë thirrje Rusisë të ndërpresë luftën e saj të paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës.”
SHBA aplikoi më parë sanksione ndaj anëtarëve të familjes së Lukashenkos, në dhjetor pas një krize migrantësh në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë, e cila çoi në akuza për shkelje të të drejtave të njeriut.