Skandali i ministrit të Kulturës në Itali. Lidhja jashtëmartesore, udhëtimet e paguara nga buxheti i shtetit dhe bisedat erotike
Marrëdhënia jashtëmartesore e ministrit italian të Kulturës, Gennaro Sangiuliano, është bërë kryetema e mediave në Itali.
Një grua e quajtur Maria Rosaria Boccia ka bërë publike disa dokumente dhe pretendon se ka qenë këshilltare në ministri. Ajo thotë se udhëtimet e saj për punë janë mbuluar nga ministria. Më tej shton se si e dashura e ministrit, ka shkuar edhe në koncertet që ka pasur qejf, por që i janë paguar gjithashtu nga Ministria.
Nga ana tjetër, ministri nuk pranon që Maria të ketë qenë e punësuar pranë Ministrisë. Ai pranon se kanë një lidhje bashkë, se ajo e ka shoqëruar në udhëtime pune, por i ka mbuluar vetë shpenzimet.
Ku qëndron skandali dhe si u zbulua?
Historia u zbulua nga biseda private që vetë Maria i ka regjistruar. Mediat thonë se ajo e kishte zakon të regjistronte çdo komunikim që bënte, qoftë edhe ato privatet me ministrin. Kurse ajo sot thotë se ka disa njerëz që shantazhojnë ministrin për përfitimet që ajo ka marrë prej tij.
“Kam dëgjuar biseda konkrete nga njerëz që për mendimin tim kanë shantazhuar ministrin. Mund të them se ka redaktorë të të përjavshmeve që e kanë bërë këtë”, u shpreh Boçia.
“Kjo është arsyeja pse unë regjistrova gjithçka”, shton ajo.
E vërteta është më shumë se kaq – Egoja femërore e lënduar
Në një intervistë tjetër, Maria shpjegoi pse nga fundi i korrikut e në vazhdim vendosi të regjistronte çdo komunikim edhe me ministrin.
“Më tha një frazë që më lëndoi shumë: ‘Unë jam ministër, jam burrë, unë përfaqësoj institucionin dhe në të ardhmen askush nuk do t’i besojë ato që thua’.”
Hatërmbetje edhe me Melonin
Maria i konsideron “seksiste” qëndrimet e kryeministres ndaj saj, kur Meloni e përkufizoi atë si “person tjetër” në televizion.
Ku qëndron çështja aktualisht?
Ministri ka dalë dje në televizion ku mohonte të ketë punësuar dhe paguar nga buxheti i shtetit udhëtimet e Marias.
Sot ai do të takojë një grup avokatësh. Mendohet se mund të ngrejë edhe një padi ndaj këtij skandali publik që i dëmton imazhin.
Mundësia e dhënies së dorëheqjes, ekziston gjithashtu.