Lajme nga Bota

Ukraina i bën thirrje OKB-së të rishqyrtojë anëtarësimin e përhershëm të Rusisë në Këshillin e Sigurimit

Ukraina i bën thirrje OKB-së të rishqyrtojë

Qeveria ukrainase i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara të rishqyrtojnë statusin e Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha të mërkurën Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba i cili vuri në pikëpyetje legjitimitetin e pozicionit të Rusisë në këshill.

Gjatë një fjalimi televiziv, Kuleba bëri thirrje për një rishikim ligjor "të plotë dhe të paanshëm" të anëtarësimit të përhershëm të Rusisë.

"Ne kemi besim se kur analiza të përfundojë, do të jetë e qartë se prania e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është e paligjshme," tha Kuleba. “Gjithçka varet nga gatishmëria dhe vendosmëria e ekipit ligjor të sekretariatit të OKB-së për ta hetuar këtë”.

Rusia është një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Kinën. Ky pozicion u jep këtyre vendeve të drejtën e vetos, që do të thotë se Këshilli nuk mund të miratojë një rezolutë nëse ndonjë anëtar voton kundër, pavarësisht nga niveli i mbështetjes ndërkombëtare.