Ushtria ruse arrin në periferi të Kievit, Kryebashkiaku: Duan të marrin zemrën e vendit tonë, ne do të luftojmë
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi të martën në një video-mesazh se "armiku është në periferi të kryeqytetit", duke shtuar se ushtria ukrainase "po përgatitet të mbrojë Kievin".
“Forcat tona të armatosura, Forcat e Mbrojtjes Territoriale, po luftojnë heroikisht për tokën tonë”, tha Klitschko.
“Në hyrjet e qytetit janë ndërtuar fortifikime dhe postblloqe. U kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë. Mos dilni jashtë pa qenë nevoja dhe qëndroni në vendet e strehimit në rast alarmi”, shtoi ai.
Një kolonë masive ushtarake ruse 40 milje e gjatë – e përbërë nga automjete të blinduara, tanke, artileri dhe mjete të tjera logjistike – ka arritur në periferi të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, sipas imazheve satelitore.
Në një video-mesazh të mëparshëm, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtja e Kievit është "prioriteti kryesor i qeverisë".
“Kiev është i veçantë. Nëse mbrojmë Kievin, do të mbrojmë edhe shtetin. Kjo është zemra e vendit tonë dhe duhet të vazhdojë të rrahë”, tha Zelensky.
Edhe Klitschko iu referua në mënyrë të tillë Kievit ndërsa tha që forcat ruse duan të "marrin zemrën e vendit tonë".
"Ne do të luftojmë dhe nuk do të heqim dorë nga Kievi," pohoi ai.