Video/ Një vajzë hyn në mes të studios së lajmeve në Rusi dhe proteston kundër luftës

Një mesazh për rusët dhe një për botën. Me një pankartë në dorë, një vajzë hyri në mes të studios së lajmeve në televizionin rus, përgjatë edicionit informativ të orës 21:30. Doli pas shpinës së gazetares dhe tregoi për kamerat mesazhin e saj.
Në fillim shkruhej në rusisht: Ndaloni luftën! Mos u besoni gënjeshtrave dhe propagandës që ju thuhet këtu. Dhe në fund mesazhi ishte në anglisht, drejtuar gjithë botës: Rusia është kundër luftës.
Maria Ovsyannikova është vajza në fjalë dhe është punonjëse në televizion.
Në një video më herët, Maria mësohet të ketë thënë: “Më vjen turp që kemi heshtur në vitin 2014, kur e gjithë kjo sapo kishte filluar. Ne nuk shkuam në mitingje kur Kremlini helmoi Navalnin, ne thjesht pamë në heshtje këtë regjim antinjerëzor dhe tani bota na ka kthyer shpinën përgjithmonë dhe dhjetë breza të tjerë të pasardhësve tanë nuk do të mund të largohen nga turpi i kësaj lufte vëllazërore”.