Volkswagen pezullon dërgesat dhe ndalon prodhimin e makinave në Rusi
Volkswagen ka vendosur të ndalojë prodhimin e automjeteve në Rusi dhe të pezullojë eksportet në tregun rus.
“Grupi Volkswagen është i shqetësuar dhe i tronditur për luftën në Ukrainë. Volkswagen vazhdon të shpresojë për një ndërprerje të armiqësive dhe një rikthim në zgjidhjet diplomatike. Ne jemi të bindur se një zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin mund të gjendet vetëm në bazë të ligjit ndërkombëtar. Në sfondin e sulmit rus në Ukrainë dhe pasojave që rezultuan, Bordi i Menaxhimit të Grupit të Volkswagen AG ka vendosur të ndalojë prodhimin e automjeteve në Rusi deri në një njoftim të dytë. Ky vendim vlen për vendet e prodhimit rus në Kaluga dhe Nizhny Novgorod”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kompania ku theksohet se eksportet e automjeteve në Rusi do të ndalen “me efekt të menjëhershëm”.
Prodhuesit e tjerë të makinave, duke përfshirë Ford dhe Renault, kanë ndalur gjithashtu prodhimin në Rusi. Jaguar Land Rover dhe Volvo thanë se do të ndalojnë dërgesat në Rusi deri në njoftimin e mëtejshëm.