'Bisedimet për paqe janë humbje kohe nëse Rusia s’ndalon sulmet!' Zelenksy në intervistën e parë për CNN
I zbehtë, i rraskapitur nga lodhja, me sytë e kuq, i parruar dhe shumë i stresuar presidenti Volodymyr Zelensky që vendosi të qëndrojë në kryeqytetin ukrainas, edhe pse është caktuar si shënjestra numër 1 e rusëve, dha sonte intervistën e parë që pas fillimit të luftës për CNN.
I pyetur nga gazetari Matheë Chance nëse mund të shpresohet për zgjidhje diplomatike të luftës Zelensky, me një anglishte të vështirë, tha se bisedimet për paqe janë humbje kohe nëse Rusia s’ndalon sulmet.
“Ata vendosën të fillonin të flisnin për situatën dhe unë e doja me të vërtetë, një zgjidhje të tillë. Të gjithë duhet të ndalojnë së luftuari dhe të kthehen në atë pikë nga ku filloi pesë, gjashtë ditë më parë. Nëse bëhet kjo do të thotë që ata janë gati për negociata. Nëse nuk e bëjnë do të thotë që është vetëm një humbje kohe.”
Zelensky përsëriti thirrjet për SHBA dhe NATO që të krijojnë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë ose të vendosin këmbët e tyre në token ukrainase.
"Unë tashmë i jam drejtuar dhe kam folur me disa liderë perëndimorë me këtë kërkesë, sepse besoj se liderët duhet të mbështesin vendet demokratike dhe ata duhet t'i ndihmojnë ato. Kur flasim për zonat ndalim-fluturimi, ne shikojmë prapa në histori ... kjo nuk do të thotë se duam të tërheqim një vend tjetër në luftë. Por, sinqerisht, ju e dini, të gjithë janë të tërhequr në luftë tani”.
"Kam folur me Bidenin shumë herë," tha Zelensky. Dhe unë u kam thënë atyre shumë herë se Ukraina do të rezistojë dhe do të luftojë, do jetë më e fortë se kushdo tjetër, por vetëm kundër Rusisë ne nuk do t'ia dalim. Kjo është arsyeja pse nëse dikush dëshiron të na ndihmojë, duhet të veprojnë me shpejtësi. Ky është momenti."
Zelensky parashikoi gjithashtu probleme në vendet anëtare të NATO-s nëse Rusia merr kontrollin e vendit të tij.
"Nëse Ukraina dështon, atëherë të gjitha këto trupa do të jenë në kufijtë tuaj, Poloni, Lituani ... dhe ju do të përballeni me çështje më të mëdha. Do të ketë provokime të tjera atje," tha ai.
Zelensky tha për CNN se Rusia po sulmonte pa dallim qytetarët ukrainas dhe monumentet historike.
"Siç mund ta shihni, askush nuk është shumë i kujdesshëm për objektivat. Ne shohim se fëmijët po vriten ... Ne po mbrojmë të drejtën tonë për jetën," tha ai, duke shtuar se Moska "po lëshon raketat e saj kundër Kievit, zemrës së Ukrainës."
Ai foli me krenari për rezistencën e Ukrainës dhe tha për ushtarët rusë: "Ata nuk e kanë idenë se çfarë po bëjnë. Ata nuk i njohin rrugët tona. Ata nuk e njohin këtë popull. Ata nuk e kuptojnë filozofinë tone, mentalitetin, aspiratat tona, nuk dinë asgjë. Ata thjesht janë dërguar për të vrarë dhe për të vdekur," tha Zelensky.
Ndërkaq i pyetur nga CNN për transformimin e tij nga aktor komik në lider me famë botërore në kohën e luftës, Zelensky u përgjigj: "kjo është shumë serioze, nuk është një film... Unë nuk jam ikonik, mendoj se Ukraina është ikonikë".
“Ukraina është zemra e Evropës dhe tani mendoj se Evropa e sheh se Ukraina është diçka e veçantë për këtë botë”, shtoi ai. "Kjo është arsyeja pse bota nuk mund ta humbasë këtë diçka të veçantë."
Udhëheqësi ukrainas dukej i lodhur dhe i stresuar, por ishte miqësor me ekipet e CNN dhe Reuters. Ai tha se nuk e kishte parë familjen e tij për tre ditë; i pyetur se si janë ditët e tij tipike, ai tha: "Puno dhe fle".