Lajme nga Bota

Zhvillimet kryesore të ditës së sotme nga Ukraina

Zhvillimet kryesore të ditës së sotme nga Ukraina

Kryetari i bashkisë së qytetit Kharkiv tha se qyteti ishte nën sulm të vazhdueshëm nga forcat ruse, raporton Reuters. Duke folur në televizionin kombëtar, Ihor Terekhov tha se trupat ruse kishin qëlluar në zonat qendrore duke shkaktuar një numër të paverifikuar viktimash.

Një sulm ajror rus goditi një ndërtesë banimi në Kiev ndërsa forcat e Moskës thanë se do të vazhdojnë të pushtojnë kryeqytetin e Ukrainës dhe qytete të tjera të mëdha. Një person u gjet i vdekur në ndërtesën e apartamenteve nëntëkatëshe, thanë zyrtarët, me tre persona të tjerë të shtruar në spital pasi sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në kryeqytet dhe qytete të tjera disa orë përpara se negociatorët ukrainas dhe rusë të rifillonin bisedimet.

Fabrika e avionëve Antono V në Kiev u bombardua nga forcat ruse, tha administrata e qytetit të Kievit në llogarinë e saj zyrtare në Telegram të hënën në mëngjes. Të paktën dy persona u vranë dhe shtatë u plagosën.

Autoritetet ukrainase kanë mohuar akuzat e Rusisë se një raketë ukrainase ka shpërthyer në qytetin e Donetsk, që kontrollohet nga separatistët, duke vrarë 20 civilë. Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Leonid Matyukhin tha se raketa, që mbante copëza koke luftarake, ishte në fakt një raketë ruse. Pretendimet ruse dhe ukrainase nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Forcat ruse hodhën në erë municione në termocentralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhia. Parlamenti i Ukrainës tha më herët se trupat ruse planifikonin të fillonin "asgjësimin" e municioneve përpara uzinës së Zaporizhzhia, stacioni më i madh bërthamor në Evropë.

Të paktën nëntë persona u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën në një sulm ajror në një kullë televizive në rajonin verior Rivne të Ukrainës sot. “Ka ende njerëz nën rrënoja”, tha guvernatori Vitaliy Koval në një postim në internet, raporton Reuters.

Nëntëdhjetë fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas. “Numri më i madh i viktimave është në rajonet e Kievit, Kharkiv, Donetsk, Chernihiv, Sumy, Kherson, Mykolayiv dhe Zhytomyr”, thuhet në një deklaratë.

Një kolonë prej më shumë se 160 makinash u nis nga Mariupoli sot, thanë zyrtarët lokalë, në përpjekjen e parë të suksesshme për të evakuuar civilët nga qyteti i rrethuar ukrainas. Pas disa ditësh përpjekjesh të dështuara për të dërguar furnizime në Mariupol dhe për të siguruar kalim të sigurt për civilët e bllokuar, këshilli i qytetit tha se armëpushimi lokal po respektohej dhe kolona ishte nisur për në qytetin e Zaporizhia.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha se forcat ruse "po silleshin si terroristë" dhe Putini kishte nisur një luftë në shkallë të gjerë në qendër të Evropës që mund të “shndërrohej në një luftë të tretë botërore". Duke iu drejtuar asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, ai tha se Evropa "zgjodhi rrugën e qetësimit të agresorit" për vite në vend që "të mbrojë vlerat e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut".

Urdhëri i Vladimir Putin që forcat bërthamore ruse të vihen në gatishmëri të lartë është një "zhvillim rrënqethës", tha shefi i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së lajmëroi edhe se 40 milionë dollarë të tjera do të ndahen për të rritur ndihmën humanitare për Ukrainën.

Një aleat i ngushtë i Putinit ka pranuar se operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë nuk ka përparuar aq shpejt sa kishte dashur Kremlini, raporton Reuters. Shefi i Gardës Kombëtare ruse Viktor Zolotov fajësoi forcat e ekstremit të djathtë ukrainase që fshiheshin pas civilëve, një akuzë e bërë vazhdimisht nga zyrtarët rusë.

Rusia ka mohuar t’i ketë kërkuar Kinës pajisje ushtarake, duke thënë se ka fuqi të mjaftueshme ushtarake për të përmbushur të gjitha synimet e saj në Ukrainë pa pasur nevojë për ndihmë nga Pekini. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se trupat ruse mund të marrin "qendrat kryesore të popullsisë nën kontroll të plotë" në Ukrainë.