Jemi të gjithë duke pritur, si jo shpesh në të vërtetë, që edhe këto ditë të fundit të kësaj 2020-te të pagjasë të kalojnë vrikthi. Në fakt ne shqiptarët mezi prisnim që të na ikte edhe 2019-a, një vit fatkeq që na tronditi zemrat e trupat edhe fizikisht nën goditjet e tërmeteve që morën jetë shqiptarësh e shkatërruan mundin e pronën e shumë të tjerëve. Sikur të prisnim që me magji të ndryshonte gjithçka, nga sot nesër. E në fakt secili i ka përjetuar në mënyrën e vet këto çaste tepër të vështira që s’mbarojnë e që të gjitha së bashku përbënë një tjetër vit të jetës së gjithsecilit. E në fakt mua personalisht librat ma kanë mbushur boshllëkun e kohës që s’kalon, po ashtu janë po librat që të mësojnë se kjo që po kalojmë nuk ka ndodhur veç njëherë në histori, njerëzimi ka kaluar e parë edhe më keq, duket si një melhem diturie që të mos të na duket se po jetojmë fundin e botës. Gjithsesi, në këtë fundvit, me shpresën e madhe që një dritë e furishme po shfaqet në fund të tunelit, më duket me vend të bëj një përmbledhje të 10 librave të mi të 2020-ës.
1. Vincent nga Barbara Stok, është një nga novelat grafike më të bukura që kam parë e që flet për jetën e Van Gogh-ut në Arlë, me ilustrime e tekste të mrekullueshme që përbën dhe një objekt shumë të bukur nga pikëpamja vizive. Jam shumë krenare për këtë vepër të cilën e kam përkthyer vetë gjatë ditëve të mbylljes dhe që më ka dhënë shumë mësime jete e kënaqësi të pafundme.
2. Fate dhe shtrëngata nga Lauren Groff, një libër për dashurinë, martesën, sekretin, të theënat e të pathënat, në penën e një shkrimtareje të madhe plot imagjinatë dhe mprehtësi të habitshme. Një shkrim i hatashëm në dy pjesë brenda një libri, ku duket sikur gjallon me të vërtetë jeta e dy njerëzve që sa njihen mes tyre po aq edhe të panjohur janë. Një nga librat më të bukur që kam lexuar në jetë.
3. Fluturimi i fundit nga shkrimtarja e njohur Brunilda Zllami, e cila merr në vëmendje jetën e një gruaje, të përndjekur nga një fat i zymtë, në luftë për jetën dhe pranimin e saj ashtu siç ajo të vjen. Si ngaherë Brunilda arrin të shkruajë një libër rrembyes dhe plot narracion që mahnit lexuesin e saj besnik që e ndjek në çdo hap të karrierës së saj të çimentuar tashmë.
4. Pertej dimrit nga Isabel Allende, shkrimtarja jonë ekskluzive erdhi me një libër shumë bashkëkohës, me aktualitetin e ditëve që jetojme. Ngjarjet zhvillohen në SHBA, por që personazhet medoemos do të lidhen me Kilin, apo me rrënjët latinoamerikane, e pashmangshme në librat e Allende-s. Ky është një libër që trajton plagët e emigrimit, antitrampizmin, dashurinë e vuajtjen, por edhe shpresën që vjen pas saj. Isabel Allende këtë vit përmbylli edhe trilogjinë për femijë e të rinj që fillon me Qyteti i shtazëve, vijon me Mbretëria e dragoit të artë dhe përfundon me Pylli i pigmejve.
5. Pasion i thjeshtë i një shkrimtareje të madhe franceze si Annie Ernaux, një libërth i vogël, por tejet intens. Është një grua në qendër e cila ka rënë pre e një pasioni trallisës, e gjithë jeta e saj vihet në funksion të këtij pasioni që edhe pse i thjeshtë siç thotë shkrimtarja, ka aftësinë të bllokojë mendjen, kohën e gjithë qenien tënde me një pushtet demoniac. Thuajse i tërë libri rrëfen pikërisht këtë ndjesi që zgjat aq kohë sa frymon pasioni.
6. Letërsia suedeze më ka tërhequr përherë shumë për ngjarjet me karakter thriller që trajton po dhe inteligjencën e hollë me të cilën shkruhen romanet. Burri që vëzhgonte gratë, i dyti pas Burri që nuk ishte vrasës, i shkruar nga dyshja suedeze Hjorth&Rosenfeldt. Edhe ky është një roman joshës skandinav nga ata që s’të lëshojne nga faqja e parë në të fundit. Sebastian Bergmani eshte psikiatri profilizues që i lidh të dy librat dhe përmes përfigurimit të vrasësve i jep përgjigje edhe pyetjeve personale që e torturojnë përgjate gjithë jetës së vet. E bukur në këta libra është pikëpamja se askush nuk lind vrasës, janë shumë gjëra që shënjojnë jetën e sekujt duke ndikuar në mënyrë të pashmangshme në atë se çfarë do të jetë apo bëhet dikush.
7. Një tjetër suedeze si Camilla Läckberg, erdhi në shqip me librin e saj të shtatë, Mbytja, një nga më të bukurit e serisë. Në qendër historia e një shkrimtari të suksesshem me shumë dritëhije në të shkuarën e vet. Edhe ky një libër shumë inteligjent, nga ata fundi i të cilit është i pamundur për t’u zbuluar për nga mënyra aq misterioze sesi është ngjizur historia.
8. Një dëshirë e madhe për të jetuar i Fabio Volos, ky libër përkufizohet nga thjeshtësia e të shkruarit. Të thënit të gjërave troç, aq troç sa të duket se dikush t’i ka nxjerrë nga mendja teksa i ke menduar e t’i ka hedhur në një roman. Në fakt këtë bën Fabio Volo dhe mbase prandaj është kaq i dashur për lexuesin, sidomos për lexuesin e ri që priret të jetë më pak i sofistikuar, më i drejtpërdrejtë dhe që kërkon përgjigje më të shpejta. Frazat e Fabio Volos janë nga ato që të nguliten në mend shumë natyrshëm, edhe nëse ky nuk është qëllimi yt kryesor.
9. Banda e fëmijëve dhe Puthje e egër, nga i mirënjohuri Roberto Saviano, janë një diptik, dy romane të shkruara mjeshtërisht nga një njeri që të shkruarin e ka ngritur në një nivel shumë të lartë. Por ka dhe shumë aktualitet tema që trajtohet, fëmijët e lindur në një realitet të vështirë, qenie inteligjente e të pafajshme, por të gjendura në një kontekst pa mbrojtje dhe ku modeli i pasurimit të shpejtë është vetëm krimi e gjendet kudo, do të bien pre duke paguar edhe çmimin më të shtrenjtë, atë të jetës.
10. Dieta e jetëgjatësisë nga Valter longo, nuk është libër i 2020, por ai është bërë mantra e jetës sime, me atë kam bindjen se nëse bashkëjetoj do të jetoj gjatë dhe mirë. Valter Longo shpjegon hollësisht se çfarë i ndodh qelizës pas çdo ushqimi që hamë. Cili është stili i jetës që duhet përqafuar për të mbetur i ri brenda e për pasojë edhe jashtë.