Libri që sugjeron më shumë botuesja Arlinda Dudaj këtë verë
I ke zgjedhur librat që do të lexosh gjatë pushimeve të kësaj vere? Nëse jo duhet të marrësh në konsideratë sugjerimin e botueses Arlinda Dudaj. Libri që ajo sugjeron më shumë mban titullin ‘Atdheu’ nga autori Fernando Aramburu. E ftuar tek ‘Rudina’, Arlinda tregoi se sa shumë mbresa i kishte lënë leximi i këtij libri dhe prandaj ndjeu dëshirën e fortë për ta ndarë me ndjekësit.
‘Unë zgjodha të flas për librin Atdheu nga Fernando Aramburu tek emisioni i Rudinës. Për shumë arsye që i rendis aty ky libër më ka lënë aq shumë mbresa dhe e ndjej vërtet të fortë dëshirën ta ndaj me ju’, shkruan ajo në Instagram.
Libri gjendet tek shtëpia botuese ‘Dudaj’ dhe më poshtë mund të lexoni një përshkrim për ‘Atdheu’.
"Atdheu" - Fernando ARAMBURU
Ditën që ETA njofton se i ka lënë armët, Bitori niset për në varrezë që t’i tregojë varrit të të shoqit, Çatos, vrarë nga terroristët, se ajo ka vendosur të kthehet në fshatin ku kanë banuar. A mund të bashkëjetojë me ata që e ngacmonin para dhe mbas atentatit që i kishte shkatërruar jetën asaj dhe familjes? A do të mund ta mësojë kush ishte njeriu me kapuç që i vrau të shoqin një ditë me shi, duke u kthyer nga puna? Sado që ajo shkon fshehurazi, prania e Bitorit e prish qetësinë e rreme të fshatit, sidomos të komshijes, Mirenit, mikja e saj e ngushtë dikur dhe nëna e Joshe Marit, një terrorist i burgosur për të cilin Bitori ka dyshimet më të tmerrshme. Çfarë
ndodh midis këtyre dy grave? Çfarë ka treguar jeta e bijve dhe e burrave të tyre, aq të lidhur në të kaluarën? Me sfilitjet e fshehura dhe me bindjet e palëkundshme, me plagët dhe me veprimet e guximshme, historia e fuqishme e jetëve të tyre para dhe mbas kraterit që hapi vdekja e Çatos na thotë se, në një komunitet të shkatërruar nga fanatizmi politik, është e pamundur të harrosh dhe është e nevojshme të falësh.
Fernando Aramburu (San Sebastian, 1959) konsiderohet si një nga prozatorët më të shquar në gjuhën spanjishte, është autor i shumë romaneve, disa nga të cilët kanë marrë çmime prestigjioze në Spanjë.
Libri "Atdheu" është romani i tij i përkryer. Një histori e domosdoshme, e guximshme dhe prekëse, që impohet për t’u lexuar nga të gjithë. Një nga librat më të mahnitshëm në letërsinë e sotme spanjolle.