Shuhet Giorgio Armani: Njeriu që krijoi modën italiane

Giorgio Armani ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Ai u shua ashtu siç kishte dëshiruar: duke punuar mbi koleksionet e tij dhe duke menduar për projektet e ardhshme.
Të thuash se bota e modës do ta ndjejë mungesën e tij, është shumë pak për të shprehur humbjen e vërtetë. Në 50 vite në krye të markës që themeloi me Sergio Galeotti , Giorgio Armani ndryshoi historinë e stilit dhe modës. Ai krijoi një garderobë të re për burrat e gratë, i dha një kuptim të ri “power dressing”-ut, frymëzoi, bëri të ëndërrohej dhe solli jo vetëm një koncept të ri të elegancës, por edhe një mënyrë të re për ta zhvilluar atë.
Armani ndërlidhi modën me kinemanë, nga filmat “American Gigolo” dhe “The Untouchables”, deri te miqësia me Martin Scorsese. Ai solli imazhe ikonike me personazhe të famshëm, reklama të paharrueshme nëpër qytete, parfume, koleksione për të rinj, si dhe sponsorizimin e kombëtares italiane në Olimpiada. Armani dinte të fliste me të gjithë, duke gjetur mënyra për t’u lidhur me çdo lloj konsumatori. Jo rastësisht ai u bë një figurë e dashur për njerëzit, të cilët e ndalonin në rrugë për ta përshëndetur, ose habiteshin kur e shihnin herët në mëngjes duke ndihmuar shitësit në rregullimin e vitrinave të butikëve të tij.
Dashuria e publikut për të vinte edhe nga kjo thjeshtësi. Historia e Giorgio Armanit është një epokë e jashtëzakonshme: historia e një njeriu që arriti majat e botës, një prej të paktëve stilistë që mbeti i pavarur deri në fund, duke bërë gjithmonë atë që besonte. Për të, eleganca ishte mbi të gjitha çështje mase dhe ekuilibri - një parim nga i cili nuk hoqi dorë kurrë. Një koherencë e rrallë në kohët e sotme.
Por historia e tij është edhe historia e një punëtori të palodhur, që sakrifikoi shumë nga jeta personale për artin dhe profesionin e vet. Ai vetë, vitet e fundit, e tregonte këtë me sinqeritet dhe pa asnjë hidhërim: e dinte se kishte bërë atë që gjithmonë kishte ëndërruar.