A duhen përdorur në përditshmëri shplarësit oral?
Nga Albina Shehu/ Një nga pyetjet më të shpeshta që pacientët e mi më bëjne është: “Cilin shplarës të përdor?’’. Përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje le të ndalemi pak te një informacion për ata.
Shplarësit oral janë solucione që mund të përmirësojnë higjienën orale.
Ato janë dy lloje: kozmetik dhe terapeutik. Shplarësit terapeutik mund të ndihmojnë në parandalimin e kariesit dentar, erën e keqe të gojës, gingivitin, shërimin e plagëve postoperatore dhe reduktimin e pllakës dentare. Ata kozmetik janë me shije të ndryshme për një aromë më të mirë të gojës si dhe zbardhjen e dhëmbëve, gjithsesi kjo ngelet për t’u diskutuar.
Fëmijët nën 6 vjeç nuk duhet të përdorin shplarës oral, vetëm nëse dentist i tyre ua sugjeron atë, kjo për arsye se ata mund ta gëlltisin atë.
Përdorimi i një shplarësi oral nuk zëvendëson larjen e dhëmbëve dhe as fillin dentar, por mund ta përmirësojë atë duke pastruar në hapësirat ku ju ndoshta nuk i arrini dot t’i pastroni.
Shplarësit terapeutik merren me rekomandimin e dentistit tuaj dhe përdoren për periudhën e përcaktuar nga ai sepse përdorimi i tyre për një kohë të gjatë mund të japë efekte anësore si zverdhja e dhëmbëve. Shplarësit terapeutik më të përdorur janë ata me përmbajtje chlorhexidine, e cila ndihmon në reduktimin e pllakës bakteriale dhe gingivitin dhe ky sugjerohet të merret me recetë.
Shplarësit e thjeshtë që mund të kemi akses ne supermarket apo drugstore janë ata që quhen kozmetik, megjithatë mund të gjejmë dhe shplarës që na mbrojnë nga kariesi dentar. Këta të fundit kanë në përmbajtje fluor, dhe rekomandohet të përdoren në rastet kur s’kemi mundësi të lajmë dhëmbët, psh në punë pas vaktit ose gjatë udhëtimeve.
Shplarësit megjithatë nuk hyjnë te produktet më të rëndësishme për higjienën orale si furça, pasta dhe filli dentar, ato janë produkte suplementare.
Edhe pse suplementare po ju rendis disa karakteristika për të zgjedhur shplarësin e duhur. Një shplarës i mirë është gjithmonë pa alkool, përqindjet e larta të alkoolit në shplarës është menduar gjithmonë që ndihmojnë në dezinfektimin e gojës, por ndërkohë alkooli than gojën dhe nxit erën e keqe të saj dhe prishjen e dhëmbëve. Gjithashtu shplarësit oral me alkool në përdorime afatgjata nga studimet është parë se prishin balancat e baktereve ne mira të florës orale, ndaj ne rekomandojmë përdorimin e tyre me periudha pushimi.