My Sweet Tooth

Cila është koha e duhur për larjen e dhëmbëve

“My Sweet Tooth” është blogu më i ri që sjell Tiranapost.

Albina Shehu, një stomatologe e re do të sjellë përmes kësaj rubrike që starton ditën e sotme këshillat e saj rreth kulturës dhe shëndetit dentar.

Ndiqni pas prezantimit artikullin e parë që hap blogun “My Sweet Tooth”:

Cila është koha e duhur për larjen e dhëmbëve

Nga Albina Shehu

Përshëndetje,

Unë quhem Albina dhe jam dentiste. Kam përfunduar studimet e mia në Fakultetin e Mjekësisë Dentare dhe e konsideroj veten si pjesë e brezit të ri për një stomatologji pa dhimbje.

Në punën time të përditshme me pacientët e mi mundohem gjithmonë që disa minuta gjatë takimit t’ia kushtoj këshillave për një higjienë më të mirë dhe parandalimin e kariesit dentar.

Në shumicën e leximeve të mia të rubrikave në platforma online, apo media sociale lexoj shumë informacione të gabuara, apo sipërfaqësore, mite rreth shëndetit të dhëmbëve, kura popullore, apo produkte që premtojnë mrekulli e shumë gjëra të tjera. Unë do të doja që ky blog të ishte destinacioni juaj për dhëmbë më të pastër dhe shëndetshëm.

Gjëja më e mirë që mund të bëni për dhëmbët tuaj sot është të ruani higjienën orale në mënyrë ideale çdo ditë, ndaj sot do të doja të fillonim me disa gjëra që nuk i dimë, ose bëjmë gabim çdo ditë kur lajmë dhëmbët.

1.Cila është koha e duhur për larjen e dhëmbëve, në mëngjes apo mbrëmje?

Përgjigja e duhur është në mbrëmje. Nëse një mëngjes na duhet të nxitojmë dhe dalim nxitimthi, në mbrëmje nuk do jua rekomandoja të flini asnjë natë pa larë dhëmbët, sepse gjatë natës aktiviteti bakterial është më i shtuar. Kjo për arsye se bie niveli i sekretimit të pështymës, e cila e mban të pastër gojën. Në një ambient të thatë, pa pështymë bakteret janë më të fuqishme, por ato janë dhe më të fuqishme në një ambient të pisët, siç është ai pas një vakti. Në sipërfaqe të dhëmbëve dhe mes tyre ngelen ushqime të cilat bakteret i përdorin si “ushqim“, termi i duhur është substrat dhe prodhojnë acide. Këto acide janë ato të cilat nisin dhe shkrijnë smaltin dhe shkaktojnë kariesin dentar pra prishin dhëmbët. Ndaj nëse një mbrëmje po përtoni të lani dhëmbët rimendojeni edhe një herë. Gjithashtu momenti i duhur për larjen e dhëmbëve pas një vakti është 20 minuta pas tij dhe jo më herët.

2.Kjo do të thotë në mëngjes mund ta neglizhoj larjen e dhëmbëve?

Absolutisht jo! Gjatë natës goja thahet dhe aktiviteti bakterial rritet. Kjo bën që në mëngjes të zgjohemi me erë të keqe dhe shije të keqe. Dhëmbët në mëngjes duhen larë përpara se të hani diçka, kjo për të pastruar dhëmbët nga mbetjet acidike të baktereve gjatë natës. Pasi hani mëngjes rekomandimi im është që pas vaktit ju të bëni një shpëlarje të thjeshte të gojës me ujë dhe të nisni ditën. Dhe për një gojë më të pastër gjatë ditës unë gjithmonë sugjeroj ta përfundoni vaktin me një gargare me ujë, për të neutralizuar pH dhe një çamçakëz pa sheqer. Çamçakëzët stimulojnë shtimin e pështymës e cila mban gojën e pastër falë enzimave të saj.

3.Cila është mënyra e duhur e larjes së dhëmbëve?

Teknika klasike që na është mësuar ndër vite ajo e furçimit lart-poshtë e majtas-djathtas është e gabuar sepse nuk ndihmon në pastrimin e qafave të dhëmbëve dhe mund të jetë abrazive për ato. Teknika e duhur është ajo me lëvizje rrethore, duke mbajtur furçën me kënd 45 gradë me dhëmbin dhe jo pingul. I lajmë dhëmbët në këtë mënyrë për 3 minuta dhe përfundojmë me fillin dentar në hapësirat mes dhëmbëve. Filli dentar nevojitet të përdoret të paktën një herë në ditë në mbrëmje dhe kështu ju nuk do të vuani më nga kariesi mes 2 dhëmbëve. Nëse ju nuk përdorni fillin dentar ju lini pa pastruar rreth 40% të sipërfaqes dhëmbore.

Më poshtë do të gjeni fotot e ilustruara:

Cila është koha e duhur për larjen e dhëmbëve

Cila është koha e duhur për larjen e dhëmbëve

Cila është koha e duhur për larjen e dhëmbëve