Kur duhet të fillojnë bebat të lajnë dhëmbët?
Nga Albina Shehu⁄Në shkrimin tim të fundit kemi folur për kujdesin që nëna duhet të tregojë gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, sot po ndalemi te bebat. Nëse hedhim shikimin mbrapa në stomatologjinë e viteve 90 dhe 2000 do të kujtojmë 2 gjëra:
1. Tmerrin e dentistit të shkollës apo poliklinikës së lagjes.
2. Dhe faktin që askush nuk i lante dhëmbët fëmijëve sepse ata do të ndërroheshin së shpejti.
Sot në 2023 shumë gjëra kanë ndryshuar, tanimë kemi një stomatologji shumë moderne me mjete e teknika të përparuara mirëpo disa nga problemet vijojnë të jenë të njëjtat.
Prindërit e rinj i mëshojnë miteve të së kaluarës dhe shikojnë me dyshim çdo informacion në lidhje me higjienën e dhëmbëve të fëmijëve të tyre.
Po kur duhet të nisi larja e dhëmbëve te fëmijëve?
Sipas Shoqatës amerikane të dentistëve: (kliko këtu) dhëmbët e një fëmije duhet të fillojnë të lahen që në momentin e parë që ato dalin pra rreth 6-7 muajsh.
Ne rekomandojmë që rreth kësaj moshe nëna të nisë me një gishtëz silikoni pa pastë ose me një pastë pa fluor, në sasinë e një kokrre orizi 2 herë në ditë. Ne rekomandojmë që gishtëza e silikonit të përdoret derisa fëmija të ketë së paku rreth 6 dhëmbë. Me anë të saj dhëmbët pastrohen, por masazhohen dhe gingivat, duke lehtësuar sadopak daljen e dhëmbëve të rinj.
Ne rekomandojmë që kjo gjë të bëhet nga 0-17 muajsh, më pas rekomandohet të nisë përdorimi i pastave të pasura me fluoride në përqendrimin 500ppm deri në moshën 5-6 vjeç. Sasia e rekomanduar e pastës për këto mosha është sa një kokërr orizi. Më pas nga mosha 6 vjeç e sipër të nisë përdorimin e pastave me përqendrim fluoridesh 1000-1500ppm. Sasia e rekomanduar e pastës është sa një kokërr bizeleje, dhe kështu vijon dhe për adutët. Përqendrimi klasik i fluorideve ne pasta është 1450ppm dhe ne e rekomandojmë nga mosha adoleshencës e në vazhdim për gjithë adutët.
Larja e dhëmbëve në moshë të hershme ul shumë probabilitetin për risk karioz, pra që dhëmbët të prishen në moshë të vogël. Me prishjen e dhëmbëve në moshë te vogël krahas dhimbjes nisin dhe probleme si shmangia e ushqimit, i cili i shkakton dhimbje. Gjithashtu nisin dhe probleme psikologjike si ndrojtja që ata ndjejnë karshi shokëve nëse kanë dhëmbët e prishur, sidomos dhëmbët e parë. Zakonisht kur fëmijët kane dhimbje ata nisin shmangien e ushqimit solid duke preferuar vetëm atë të bluar, duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në zhvillimin muskulor dhe skeletor të nofullave dhe muskujve mbështetës te tyre, zhvillimin e fëmijës në tërësi etj.