Nga Albina Shehu⁄ Tema që kam zgjedhur sot është një temë që na prek te gjithëve sepse thyen disa mite që qëndrojnë solide mes nesh prej kohësh.
Sot do të flasim për kujdesin oral në shtatzëni.
Disa nga mitet që do të diskutojmë janë prishja e dhëmbëve nga shtatzënia dhe shërbimet dentare që mund dhe s'mund te merren gjatë saj.
Pika e parë qe dua të ndalem janë ndryshimet që ndodhin në kavitetin oral të një femre shtatzënë. Si përgjigje e ndryshimeve hormonale do të kemi rritjen e fluksit të gjakut në gingiva, kjo rezulton në gingiva që gjakosen lehtësisht kur i lajmë? Si ta menaxhojmë?
Asgjë për tu shqetësuar e jashtë normales, lani dhëmbët rregullisht dhe përdorni fill dentar edhe pse ju del gjak gjatë përdorimit të tij. Nëse nuk keni higjienë të mirë nga ndryshimet hormonale përgjigjja e gingivave do të jetë e ekzagjeruar ndaj baktereve në gojë, gingivat do të fryhen e gjakosen.
Së dyti do të flasim për një nga dukuritë që nis gjatë tre mujorit të parë dhe për disa vazhdon gjatë gjithë saj: refluksi dhe të vjellat. Kur ne kemi refluks apo vjellim na krijohet në gojë një pH acid, pra një ambient acid. Ky ambient është shumë i përshtatshëm për të gërryer smaltin.
Kur dikush vjell direkt ka tendencën për te larë dhëmbët, por nuk duhet të nxitohemi sepse ky veprim nxit më shumë gërryerjen e smaltit. Ajo që duhet të bëjmë është të shpëlajmë gojën me ujë duke neutralizuar aciditetin dhe pas 20 minutave mundemi ti lajmë me furçe e pastë. Nëse do të keni herë pas herë refluks unë sugjeroj të bëni gargarë me ujë të pijshëm disa herë gjatë ditës për të neutralizuar aciditetin që krijohet. Gjithashtu do rekomandoja të përdorni një furçë me qime të buta.
Nëse gërryerja e dhëmbëve mund të shmanget gjatë shtatzënisë, po prishja e tyre?
Në fakt ky është miti më i shpeshtë që dëgjoj nga pacientët: "dhëmbët e mi u prishen pas shtatzënisë”. Gjatë shtatzënisë femrat karakterizohen nga dëshira për të ngrënë më shumë karbohidrate, pra çdo gjë me origjinë brumi të cilat janë te pasur me sheqer, shtuar këtu dhe snacks e shpeshtë. Konsumimi i shpeshtë i karbohidrateve dhe mungesa e rregullte e higjenës orale bën që të kariohen/ prishen dhëmbët gjatë shtatzënisë. Ndërkohë që mund të duket si diçka që ne dentistët e themi shpesh, por në fakt mungesa e higjienës orale në shtatzëni vjen nga nausea që furça apo shija e pastës mund të shkaktojë.
Shumë femra shprehen se e kanë patur të pamundur ti lajnë dhëmbët gjatë tre mujorit të parë sepse ju shkakton të vjella, dhe se shpesh kanë përdorur gargara për ta shpëlarë sadopak. Tre muaj me një dietë të pasur me karbohidrate dhe me higjiene të dobët është mjaftueshëm për tu prishur dhëmbët apo jo?
Ky është impakti indirekt që shtatzënia ka te dhëmbët sepse ndryshe nga çmendohet depot më të mëdha të kalciumit në trupin e femrës janë kockat e jo dhëmbët. E megjithatë trupi ka mekanizma fantastik kompensues gjatë shtatzënisë që kockat të mos dobësohen nga kalciumi që fetusit i nevojitet, kalciumi merret nga dieta e nënës dhe kockat mbrohen nga estrogjeni. Ndaj dhëmbët nuk prishen nga shtatzënia por nga impakti indirekt që ajo ka te ne femrat siç janë dëshira e madhe për të ngrenë dhe zgjedhja për mos ti larë rregullisht kur ajo na shkakton të vjella.
Një faktor tjetër që duhet të përmendim është mungesa e kontrolleve të rregullta para shtatzënisë bën që një pjesë e femrave në shtatzëni të kenë më vonë dhimbje dhëmbësh apo urgjenca dentare. Ndaj këshilla ime në këtë pikë është që nëse ju planifikoni një shtatzëni ti drejtoheni dentistit/dentistes suaj më herët për gjithë mjekimet e nevojshme.
Nëse do të keni një dhimbje apo një urgjence dentare gjatë shtatzënisë a mund të shkoni te dentisti? Po
Më poshtë do të gjeni një listë shërbimesh që lejohen dhe nuk lejohen gjatë shtatzënisë.
Lejohen:
-pastrimi i gurzave gjatë gjithë shtatzënisë
-mbushjet dhe mjekimet e dhëmbëve
-anestezia lokale ( e njohur ndryshe si mpirja)
-në rast urgjence apo infeksioni dhe heqjet
-vendosja e urave apo kurorave(njohur ndryshe si këllefët)
*Periudha me e përshtatshme për këto ndërhyrje do të ishte tremujori i dytë.
Nuk lejohen:
-Radiografi dentare
-Sedacioni
Pastrimi i gurzave është një nga procedurat që ne kryejmë me shpesh gjatë shtatzënisë dhe motivojmë të gjitha pacientet të mos neglizhojnë pastrimet rutinë. Kjo sepse ndryshimet hormonale bëjnë që gingivat të jenë të inflamuara dhe gjakosen kollaj gjatë shtatzanisë, nëse kjo gjendje vijon për shumë kohe pa përmirësim dhe survejim të saj ajo agravohet në periodontit, ku dhëmbi(qafa dhe rrënja) zhvishet nga gingiva dhe mund të lëvizë.
Nga studimet e kryera është vënë re që një lidhje mes femrave shtatzënë me periodontit dhe lindjeve premature dhe foshnjave me peshë të ulët.
Një ndodhi tjetër gjatë shtatzënisë si rrjedhojë e ndryshimeve hormonale është granuloma pyogenike ose tumori gravidar, e cila është një masë e cila rritet si qershi në gingiva. Ndodh vetëm ne 2% të femrave dhe nëse ndodh në 90% të rasteve ajo zhduket pas lindjes pas rregullimit të balancave hormonale, dhe nëse nuk ndodh mund ta hiqni me kirurgji te dentisti juaj.
Për të gjitha këto më sipër ne këshillojmë kontrolle të rregullta para, gjatë dhe pas shtatzanisë, higjienë të rregullt me pastë të pasur me fluor, furçë të butë e fill dentar, dietë të shëndetshme dhe kurajë!