My Sweet Tooth

Si t’ia bëjmë me gingivat që gjakosen?

Si t’ia bëjmë me gingivat që gjakosen?

Nga Albina Shehu/ Një nga problematikat më të shpeshta që pacientët e mi më pyesin shpesh janë gingivat e inflamuara. Kjo është një problematikë e përhapur gjerë në popullsi dhe zgjidhja e saj është sa e lehtë dhe komplekse.

Nëse ju keni gingiva të skuqura, të enjtura, të ndjeshme/dhimbshme dhe që gjakosen shpejt ju keni atë që quhet gingivit. Gingiviti është inflamacion i gingivave/mishrave të dhëmbëve me origjinë bakteriale. Po nga vijnë këto bakterie në gojën tonë?

Si t’ia bëjmë me gingivat që gjakosen?

Kam 2 përgjigje për ty:

1. Në gojën tonë ka plot bakterie që janë pjesë e florës orale.

2. Nëse nuk ruajmë higjienën e gojës atëherë ne bëjmë gojën portën kryesore hyrëse të bakterieve.

Në gojën tonë ka plot bakterie, por pështyma me enzimat e saj ruan balancat. E kundërta ndodh nëse ne nuk i lajmë dhëmbët dhe nuk përdorim fillin dentar.

Nëse nuk i lajmë dhëmbët për së paku 12-24 orë rreth qafave të dhëmbëve fillon depozitohet pllakë bakteriale, ajo ka trajtën e një shtrese të qullët, pothuajse e padukshme për syrin tonë, (por jo të dentisteve) e cila së shpejti merr ngjyrë nga ushqimet dhe kështu shikojmë qafat e dhëmbëve të zverdhen. Kjo pllakë bakteriale prodhon toksina të cilat irritojnë gingivat, duke i bërë ato të fryhen, skuqen, gjakosen gjatë larjes apo dhe ngrënies.

Në këto kushte ju duhet të drejtoheni te dentisti dhe të përmirësoni higjienën tuaj orale, sepse në të kundërt gingiviti përkeqësohet duke na dhënë probleme me shkrirjen e smaltit në qafat e dhëmbëve, zhveshjen e qafave të dhëmbëve dhe lëvizshmërinë e dhëmbëve.

Përmirësimi i higjienës orale është përgjigja nëse gjithë këto më sipër janë problemi juaj.

Filloni me ndryshimin e furçës së dhëmbëve, një furçë e butë është gjithmonë më e mirë se një e fortë. Ka shumë rëndësi teknika e larjes së dhëmbëve sesa produktet, ndaj kujdesuni të lani mirë qafat e dhëmbëve dhe masazhuar gingivat lehtësisht. Kjo gjë arrihet duke mbajtur furçën 45˚ me aksin e dhëmbit, me lëvizje rrethore dhe jo lart e poshtë.

Si t’ia bëjmë me gingivat që gjakosen?

Së dyti është filli dentar, pastrimi i hapësirave mes dhëmbëve me fill dentar për të larguar ushqimet e ngelura është thelbësor për gingiva që gjakosen. Mirëpo shpesh pacientët stepen sepse nëse ata përdorin fillin dentar gingivat e tyre do të gjakosen, dhe nxitur nga kjo ata nuk e përdorin më fillin dentar. Në fakt këtu qëndron kompleksiteti i trajtimit të gingivave që gjakosen, filli dentar duhet përdorur edhe pse i gjakos. Përdoreni çdo mbrëmje para larjes se dhëmbëve dhe në një periudhë kohore prej 2 javësh gingivat juaja do te jene si të reja. Mos harroni fillin dentar duhet ta lëvizni deri në fund të hapësirës interdentare.

Një produkt tjetër që mund ti shtoni rutinës suaj ne rastin e gingivitit është një shpëlarës oral, të cilin sigurohuni ta merrni pa alkool, përdoreni deri në trajtimin e gingivave dhe jo gjithmonë. sepse përdorimi i tyre i shpeshtë prish balancat e baktereve të mira në gojë.

Këshilla ime si profesioniste e shëndetit oral për produkte si pasta e dhëmbëve në rast gingivit është përdorimi i pastave me fluor dhe SLS pra pasta që kanë agjentë pastrues e shkumëzues, pastat e buta pa SLS kane tendencën të mos largojnë gjithë pllakën bakteriale kur ju lani dhëmbët.

Një hap i fundit por jo më pak i rëndësishëm është pastrimi i gurëzave te dentisti.

Si t’ia bëjmë me gingivat që gjakosen?

Gjithashtu duhet përmendur se një kategori e caktuar pacientësh si femrat shtatzënë, pacientet me probleme në zemër, apo epilepsi e depresion kanë gjithashtu gingivit.

Në shtatzani si rezultat i ndryshimeve hormonale kemi rritjen e qarkullimit të gjakut në gingiva e gjakosjen e tyre për pasojë. Gjithashtu dhe përgjigjja inflamatore e gingivave është më e shtuar në rastet kur femrat kanë refluks e të vjella dhe ngurrojnë të lajnë dhëmbët.

Situata qetësohet pas lindjes, por nga ndryshimi i stilit të jetesës pas lindjes 3 në 4 femra vijojnë të kenë gingivit nga netë të gjata pa gjumë ku shpesh harrojnë të kujdesen për dhëmbët.

Pacientë që trajtohen me medikamente si antiaritmikë, antiepilektikë, antidepresivë kanë gjithmonë probleme me gingivat për shkak të këtyre medikamenteve.

Tiranapost.al