Elhaida, stili që e bën të jetë ndryshe nga të tjerat

Elhaida Danin e kam takuar rastësisht tek një nga eventet e Odës disa vite më parë. Nuk i shpëtonte dot syrit të vëzhguesave stili i saj krejt i veçantë me puplat rozë dhe flokët e bukur ngjyrë kafe në çokollatë. Është shumë e thjeshtë në bisedë, mu duk sikur e njihja prej kohësh.
Përveçse me shumë shije, Elhaida është një artiste e suksesshme, që ka ditur të krijojë stil dhe elegancë. Nuk ka asnjë gjë të përbashkët me shumicën e këngëtareve që jemi mësuar të shohim rëndom. Si këngëtare promovon elegancën përballë vulgaritetit dhe sloganeve që po diktojnë personazhin publik jo pak.
Nëpër evente shfaqet me pak ose aspak grim. Bie në sy hijeshija e saj në tërësi, shija e hollë për veshje minimaliste, por shumë të kuruara. Ngjan shumë me stilin e Laura Pausinit.
E njeh mjaft mirë stilin e saj dhe i qëndron besnike formave dhe siluetës elegante. Di ta mbajë trupin në peshën e duhur, pa përdorur ndërhyrje kirurgjikale.
Në kutinë e saj të grimit të përditshëm nuk ka hijezues artificjal për mollëzat. As nuk e konturon fytyrën si Jennifer Lopez. Ama ka një stil që të sjell ndërmend Parisin.
Veshja e saj ka maksimalisht dy ngjyra. Nuk i preferon shumë trendet, por i besoj stilit klasik dhe gardërobës kapsulë. Dhe duket kaq bukur!
Çdo veshje e bën të duket elegante, sqimatare, e brishtë dhe sensuale. Pa shumë mundim. Dhe pa qerpikë fallso.
Elhaida, shpresoj të frymëzosh me stilin dhe artin tënd sa më shumë artistë! Mua më ke frymëzuar sinqerisht.
![]() |
Nën Lupën e Stela Sallakut/ tiranapost.al