Në vitet ‘60-‘90, në Amerikë mbizotëronte ideja se amerikanët ishin relativisht popull i ri. Dhe mbase ashtu ishte. Kishin dëshirë për të ndjekur modën, takat dhe çantat me lëkurë krokodili. (Marrë nga intervista e Marlene Dietrich e 1962-shit).
Modelet e kopertinës së Vogue gjithashtu promovonin rininë, freskinë, dizajnet krejt ndryshe. Kopertina e parë e Anna Wintour kur u bë Editor-In-Chief i Vogue US (rreth 1980-tës) ishte pikërisht një modele me pak ose aspak grim, me xhinse dhe një bluzë me kryq. Mund t’ia shquaje rrudhat e lehta tek cepat e buzëve. Nuk i mbulonin as me grim dhe as me filtra. Ajo është kaq e bukur!
Si kjo zonjusha dua të jem dhe unë. Veshur me Narciso, këpucë po ashtu nga i njëjti dizajner, është diku tek të 30-tat dhe ka zyrë me pamje nga Central Park. Drejtuese e stafit prej 25 vetash, vishet me espadrilles pasdite dhe nuk zgjohet para orës 9 të dielën.
Ose si kjo veshur me kostum nga Emporio Armani, nënshkrimi thotë “copë e rehatshme”. Nuanca e mustardës është e preferuara ime, shkon me flokë brunë dhe lëkurë paksa të nxirë nga dielli i majit.
Ndërkohë në Instagram me del përpara foto e Kim Kardashian e cila më zgjon nga imagjinata e detajuar. Ka veshur një fustan me dizajn kurriz-breshke, thonjtë dhe të gjitha aksesorët kanë të njëjtin motiv. Më kthen në realitet. Më kujton se sot Vogue nuk është ashtu siç do e doja unë. Se revistat sot promovojnë gratë si objekte. Si vazo humane, filtruar dhe tërhequr nga të gjitha anët. Jo që nuk i shquan më poret, por nuk duhen më as mimikat e buzëqeshjet.
Në këtë pikë jam dakort me francezët kur thonë, çdo gjë që nuk është perfekte, e duam. E mbajmë. E reklamojmë. (Marrë nga intervista e Camille Charriere).
Të jem e sinqertë me ju, shkurt, qartë dhe pastër, fustani i Kim më vret sytë.