Nën lupën e Stelës: Ja kush mendoj se mbrëmë qëlloi me veshjen në premierën “No time to die”

Premiera e filmit “No time to die” mblodhi disa nga personazhet më të njohur në kinema "Millenium" mbrëmë. Ishte e natyrshme të doje t’jua shihje veshjet me detaje, parakalimet në tapetin e kuq, grimin dhe aksesorët. Në fund të fundit, kishim nevojë për një event të tillë pas një viti pandemik.
Në Tiranë mbizotëronte e zeza dhe kostumet “tuxedo” të meshkujve. Ndërsa në Londër pamë fustane gala, me ngjyra e dizajne të ndryshme. Ajo që ra në sy ishte Kate Middleton me fustanin e saj floriri me temina, i cili vodhi vëmendjen e mbrëmjes. Vetë “James Bond” (Daniel Craig) kishte veshur xhaketë kadife në ngjyrë uthulle, me pantallona të zeza.
Më ra në sy kostumi i Estela Ujkës, e cila godet shpesh me zgjedhjet e tapetit të kuq. Në fillim m’u si një nga kostumet e leshta, të cilat janë dhe trend, por jo. Ka një teksturë si "chiffon" i qëndisur me vargje paralele. Bëjnë një kontrast të këndshëm me buzët dhe aksesorët e zinj. Bizhuteritë floriri luajnë lojën “peekaboo” (kukafshehti).
Soni Malaj kishte veshur fustan/xhaketë, i cili ka motive rombesh dyngjyrshe (livando dhe pana). Jakë klasike, e cila fillon me kopsë teke dhe përfundon në dopiopet. Ka krijuar pala të vogla nëpër të, të cilat nuk duken mirë. Është dizanjuar si fustan i shkurtër me dy prerje përpara në formë palash. Ndoshta nuk është zgjedhja më e mirë për të parë një film në kinema.
Më pëlqen kombinimi i xhaketës së Rovena Dilos, me fundin "chiffon". Është shumë i bukur balancimi mes xhaketës “box cut” dhe feminilitetit të fundit. E vetmja gjë që mund të ishte ndryshuar, janë çizmet.
Valbona Selimllarit i shkon çdo gjë që vesh, madje edhe një kostum i zi i thjeshtë, por i shtrenjtë.
Fustani “tuxedo” i Ajola Xoxës më ra në sy për kontrastin midis mashkullores dhe femërores. Shkonte edhe me natyrën e James Bond.
Shumica e të ftuarve kishin zgjedhur të zezat, ose siç i thonë francezët, “off black”. E zeza është shik, por mund të bëhet e mërzitshme nëse nuk ka një aksesor dominant apo një palë këpucë "alla" Carrie Bradshaw. Do doja të shihja edhe në Tiranë pak Londër, pak ngjyra dhe pak më shumë gala.
*Disa nga fotot janë marrë nga Revista Who