NEWS

EU4Innovation Reloaded: Shqipëria, një destinacion inovacioni në Ballkanin Perëndimor

EU4Innovation Reloaded: Shqipëria, një destinacion inovacioni në

Më 24 maj 2023, u prezantua çelja e fazës së dytë të projektit EU4Innovation në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Aktiviteti mblodhi së bashku më shumë se 150 aktorë të ekosistemit të inovacionit, përfaqësues nga sektori publik dhe privat, akademia e komuniteti i donatorëve, dhe përcolli frymën inkurajuese për përshpejtimin e transformimit të ekonomisë shqiptare, përmes inovacionit dhe aftësive.

Në fjalën e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, e mirëpriti këtë nismë e cila është në përputhje me objektivat kryesore të Reveries së Shqipërisë në fushën e zhvillimit ekonomik. Ministrja Ibrahimaj rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për të rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon. Ajo theksoi rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si partneri kryesor politik i projektit nga ana e Qeverisë shqiptare. Ministrja Ibrahimaj shprehu besimin se EU4Innovation mund të luajë një rol të fortë mbështetës për të arritur këtë qëllim duke mbështetur progresin e ekosistemit të start-up-eve dhe inovacionit.

“Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Suedia po punojnë së bashku, si Ekipi Evropa, me qeverinë e Shqipërisë për të zhvilluar dhe nxitur agjendën shqiptare të inovacionit. Për ne, ekosistemi i sipërmarrjeve të reja dhe i inovacionit është një shtytës i rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe rritjes së vendeve t`ë punës me pagesë të lartë në vend. Inovacioni ka të bëjë me vendosjen e njerëzve në qendër të ekosistemit. Nxitja e frymës së inovacionit te të rinjtë shqiptarë nuk do të thotë t'u thuash atyre se çfarë të bëjnë. Ajo ka të bëjë me fuqizimin e tyre për të bërë atë çka duan dhe për të cilën janë më të mirët. Duke qenë se jemi në kuadër të Javës së Europës dhe viti 2023 është Viti Evropian i Aftësive, më lejoni të theksoj se Evropa është këtu për të nxitur zhvillimin e aftësive në Shqipëri”, tha znj. Christiane Hohmann, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Z. Peter Zingraf, përshëndeti ndërveprimin mes Agjencive Gjermane dhe Suedeze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, GIZ dhe Sida, të cilat zbatojnë së bashku këtë projekt. Ambasadori Zingraf foli rreth sukseseve të fazës së parë të projektit, që u zbatua nga 2018 – 2022. Ndër të tjera, ai iu referua rritjes së pozicionit të Shqipërisë në raportin Startup-Blink 2022 (një raport krahasues mbi statusin e ekosistemeve start-up), i cili e cilëson Shqipërinë si "një vend ideal për kompanitë e software dhe të dhënave, e-commerce & retail, si dhe start-up-et e transportit."

Ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, znj. Elsa Håstad, foli për rëndësinë e mbështetjes së inovacioneve nga e gjithë Shqipëria. Znj. Håstad tregoi historinë e suksesit të kabinave lëvizëse shqiptare, “Funky Cabins”, 17 inovacionet e kryesuara nga gratë që falë mbështetjes së EU4Innovation konkurojnë në tregun global. “Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij revolucioni shqiptar të inovacionit”, tha Ambasadorja Håstad.

Rreth EU4Innovation

EU4Innovation është një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe Sida. Projekti zbatohet nga GIZ Shqipëri si organizatë kryesuese në zbatim dhe Sida si përgjegjëse për Challenge Fund. Periudha e zbatimit është Janar 2023 - Qershor 2026 (42 muaj), me një kontribut të BE-së deri në 10,000,000 EUR, BMZ deri në 1,200,000 EUR dhe Sida deri në 550,000 EUR.

Projekti mbështet Qeverinë e Shqipërisë në arritjen e objektivave kryesorë në fushën e zhvillimit ekonomik, përmes përshpejtimit dhe transformimit në një ekonomi të nxitur nga inovacioni dhe të bazuar në njohuri, duke i dhënë hov kapitalit të saj njerëzor, potencialit sipërmarrës si dhe të kërkimit, dhe duke rritur kështu konkurrueshmërinë.

Objektivi specifik i projektit është rritja e pjekurisë dhe ekspozimit të ekosistemit shqiptar të start-up-it dhe novacionit dhe anëtarëve të tij.

Kontakt

Për më shumë informacion rreth “EU4Innovation”, ju lutem vizitoni:

euforinnovation.al

[email protected]