Historia e bariut që shpëtoi një nga plazhet më të bukura të Sardenjës si rikujtesë për Zvërnecin

Nga Matilda Sulmeta/
Ovidio Marras ishte një bari në Sardenja që luftoi për vite me radhë kundër interesave të mëdha ekonomike që kërkonin të zhvillonin një nga zonat më të bukura të bregdetit sard. Ai refuzoi oferta marramendëse për të shitur tokën që kishte trashëguar nga babai i tij dhe nuk u tërhoq as kur u përball me presione, intimidime dhe përpjekje për ta izoluar nga prona e tij.
Për Marras, ajo tokë nuk ishte thjesht një pasuri private. Ishte pjesë e një ekosistemi unik që duhej mbrojtur për brezat që do të vinin.
Pas një beteje të gjatë ligjore, ai fitoi. Zona që dikur ishte në shënjestër të zhvillimeve masive turistike mbeti e paprekur dhe sot është një nga plazhet më të egra dhe më të bukura të Sardenjës. Pikërisht ajo lloj natyre që ne admirojmë kur flasim për bukurinë autentike të ishullit.
Kjo histori m’u kujtua sot, ndërsa po lexoja dhe shikoja çfarë po ndodh në Zvërnec.
Ajo tokë mund të jetë në pronësi private, por për dekada me radhë aty nuk u ndërtua as një kasolle. Tani po flitet për ndërtimin e një resorti të tërë.
Nuk jam kundër resorteve. Shqipërisë i duhen investimet dhe na duhet një lloj tjetër turizmi. Por jam kundër mënyrës se si po ndodh kjo.
Para dy vitesh doja të vizitoja Manastirin e Zvërnecit. U ktheva mbrapsht sepse ishte kaos total - makina nga të gjitha anët, mungesë organizimi. Zona kishte nevojë për ndërhyrje dhe menaxhim më të mirë. Por jo për një ndërhyrje të këtij niveli.
Resorte në parqe natyrore ekzistojnë kudo në botë:
• Cuixmala në Meksikë
• Shumë prej hoteleve Aman (si ai që Kushner ka premtur që do të sjellë në Sazan)
• Belmond në Brazil dhe Botswana etj etj
Por në këto raste zhvillimi është shoqëruar me mbrojtjen e habitatit. Në rastin e Zvërnecit, të paktën nga ajo që po shohim deri tani, krijohet përshtypja se habitati po sakrifikohet.
Askush nuk ka prezantuar qartë një plan që tregon se si do të mbrohet biodiversiteti, si do të ruhet peizazhi dhe çfarë garancish ekzistojnë që kjo zonë do të vazhdojë të jetë ajo që është sot.
Pse ndërtimi duhej të bëhej pikërisht aty? Pse jo më larg? Pse në një nga zonat më të ndjeshme pranë grykëderdhjes së Vjosës?
Pamjet nga protestat, ku njerëzit tërhiqen zvarrë dhe dhuna ndodh para syve të policisë, janë shqetësuese.
Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme mbetet:
A do të dalë ndonjëherë një njeri i ndershëm që të mbrojë interesin publik në Shqipëri?