Opinion

Jonila Godole: Pse “Flamingot” e protestës janë të zhgënjyer me BE

Jonila Godole: Pse “Flamingot” e protestës janë të

Nga Jonila Godole/ Në podcastin #PublicSquare Ditmir Bushati vuri re diçka që nuk është komentuar deri tani - se në protestat e fundit mungon flamuri i BE-së. Valëvitet vetëm ai kuqezi.

Kjo të bën të mendosh. Shqiptarët mbeten ndër popujt më pro-BE, edhe sipas sondazheve. Prandaj mungesa e flamurit blu nuk mund të shpjegohet thjesht me rritjen e atdhedashurisë.

Por, mbase sinjalizon diçka tjetër. Për vite me radhë, BE ka investuar në forcimin e shoqërisë civile, medias së lirë dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Megjithatë, tek një pjesë e qytetarëve është krijuar përshtypja se, për hir të stabilitetit në rajon, Brukseli ka qenë shpesh më i gatshëm të dëgjojë qeveritë sesa shoqëritë.

Kur politikanë (që një pjesë e qytetarëve i konsiderojnë përgjegjës për korrupsionin, femigracioni dhe mungesën e perspektivës) fotografohen vazhdimisht krah liderëve europianë dhe përgëzohen për „progresin“, krijohet një hendek mes mesazhit të tyre zyrtar dhe përvojës së përditshme të njerëzve.

A ka lidhje kjo me mungesën e flamurit të BE-së në protestë? Nuk e di. Ironikisht, kërkesat e protestës: mbrojtje mjedisi, transparencë, shtet i së drejtës, janë vlera thelbësisht europiane, pavarësisht se flamuri mungon. Ndoshta ky është mesazhi më i qartë për Brukselin. Që të rinjtë nuk po i kthejnë shpinën Europës. Por i kujtojnë asaj se stabiliteti rajonal nuk mund të jetë justifikim për të toleruar gjithçka.

Dhe kjo është një pyetje që duhet të shqetësonte edhe vetë Brukselin.