Opinion

Ukrainasit po luftojnë sot edhe për shqiptarët

Ukrainasit po luftojnë sot edhe për shqiptarët

Nga Boiken Abazi/ Me vazhdimin e rezistencës çlirimtare ukrainase, regjimi i Vuçiqit në Serbi ka tre opsione:

1. Të shkëputet nga Rusia dhe t'i bashkohet sanksioneve të NATO-së dhe BE-së. Gjë që nuk duket se ka asnjë shans të ndodh, pa rënë regjimi i Vuçiqit dhe pa u ngritur në pushtet forca politike progresiste.

2. Të nisë një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor në koordinim me Rusinë, për ta ndihmuar këtë të fundit dhe për të shfrytëzuar rastin për të pushtuar territore për Serbinë. Në këtë rast do të gjente përballë shqiptarët, boshnjakët, kroatët ... dhe një NATO dhe BE tashmë të unifikuar, në një kohë kur lufta në Ukrainë nuk po shkon sipas parashikimeve të Rusisë.

3. Të mbajë qëndrimin aktual ndaj Rusisë deri në fund, duke u shndërruar në një bazë mbështetëse për Rusinë, me shpresën se mund të vazhdojë të luajë rolin e viktimës para Perëndimit, pa u dorëzuar para presionit perëndimor.

Nuk duhet të harrojmë se Serbia ka zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe presidenciale në prill, por edhe që lufta është dinamike dhe krijon situata të paparashikueshme. Megjithatë, unifikimi i qëndrimeve dhe veprimeve të NATO-së dhe BE-së, që ka nxitur rezistenca e palëkundur ukrainase ndaj pushtimit rus, ka tronditur jo vetëm Putinin por edhe aleatët e tij në Ballkan, Vuçiqin dhe Dodikun.

Sa më shumë zgjat rezistenca çlirimtare ukrainase, aq më tepër demaskohet ndërkombëtarisht regjimi shoven i Vuçiqit, aq më pak opsione i mbeten, aq më i dobët bëhet brenda Serbisë. Kjo është një arsye më shumë pse shqiptarët janë sot me Ukrainën.
Pa e parashikuar askush më herët, ukrainasit po luftojnë sot edhe për shqiptarët.