Opinion

Vjeshta fantastike e grave shqiptare në Shqipëri e Kosovë

Vjeshta fantastike e grave shqiptare në Shqipëri e Kosovë

Nga Enver Robelli/ Në Shqipëri, në Kosovë dhe në diasporë brenda më pak se një jave libri i gazetares Mira Kazhanit “Një ditë tjetër…”, një rrëfim i fuqishëm emocional mbi përballjen me kancerin, ka thyer të gjitha rekordet sa i përket interesimit të lexueseve. Librin e Mira Kazhanit, botim i shtëpisë botuese “Dora D’Istria” në Zürich, mund ta porosisni në këtë webfaqe: www.dorabooks.com

Në Gjermani romani me titullin “ë” i shkrimtares Jehona Kicaj ka hyrë në përzgjedhjen e ngushtë për çmimin gjerman të librit për vitin 2025. Ky është suksesi më i madh i një autoreje me origjinë nga Kosova në hapësirën letrare gjermanishtfolëse.

Ledia Xhoga, e lindur në Tiranë, me banim në New York, ka hyrë në listën e kandidateve për çmimin e njohur “Booker Prize 2025” me romanin e saj “Keqkuptimi”.

Vjosa Musliu, profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Vrije në Bruksel, ka botuar te shtëpia botuese amerikane “Bloomsbury Publishing” një libër mbresëlënës (“Girlhood at War”), ku përfshinë kujtimet e saj gjatë viteve të represionit të Serbisë në Kosovë në vitet 1990-të, luftën, çlirimin dhe hyrjen e trupave të NATO-s.

Filozofja Lea Ypi, pas librit të saj të shumëdiskutuar “Të lirë”, ka botuar librin e ri: “Të poshtëruar - Të mbijetosh në epokën e ekstremeve”. Sërish një sagë familjare. Momentalisht mbi këtë libër po shkruajnë të gjitha mediat e rëndësishme perëndimore - disa me tone pozitive, të tjerat janë më të rezervuara.