Aktualitet

Për gratë e mbuluara që kanë vapë si ne

Ndoshta është koha ta hapim këtë debat, pa komplekse?

Diana Çuli

Gazetari Mentor Kikia – që i tërhoqi me të drejtë vëmendjen shoqërisë dhe lëvizjes së gruas për indiferencën - botoi këto ditë një shkrim mjaft të ndjerë ndaj një dukurie që po e vëmë re të gjithë kohët e fundit. Brenda një çadre ushtarësh, përmbi rërën e nxehtë të korrikut ishin ndryrë një grua dhe një vajzë, ndërsa burri i kësaj gruas (që ishte dhe babai i vajzës) po lahej në det. Nuk e di nëse ai po lahej me rroba banje të shkurtra burrash apo po lahej me pantallona dhe këmishë, siç kemi parë shpesh të lahen gra të mbuluara me gjithë vel dhe me gjithë rrobat e tyre të rënda dhe të errëta, por nuk ka rëndësi.

Rëndësi ka që kjo çështje ka disa pamje: shoqërore, morale, sigurie dhe ligjore. Shoqërore e morale sepse ne, për shkak të “respektimit dhe bashkëekzistencës së të gjitha feve” heshtim dhe nuk diskutojmë hapur e publikisht asnjë shfaqje të tyre, që nuk përkon me normat që kemi vendosur, votuar e pranuar si republikë demokratike.

Së pari, kushtetuta jonë ka në bazë barazinë shoqërore midis qytetarëve, që do të thotë barazi midis burrave dhe grave, midis atyre me besime të ndryshme fetare, midis shumicës dhe pakicave etnike. Dhe barazi të tjera që burojnë nga to. Që do të thotë edhe se asnjë burrë apo asnjë grua nuk ka të drejtë të dhunojë tjetrin, as më i forti më të dobëtin. Nënshtrimi i grave nga ana e disa besimtarëve fetarë mund të jetë normë në vende të tjera e të mbrohet dhe nga ligji i tyre, por jo nga yni. Pra, ajo çadër atje, në rërë, kur burrit i duket një kënaqësi jetësore larja në det, sepse freskohet nga zhegu, gruas nuk duhet t’i duket! Ky mund të quhet sadizëm, dhunë psiqike dhe fizike, por aspak fe apo filozofi, apo kulturë tjetër apo kushedi se çfarë tjetër lloj sofizmi.

Së dyti, mbulimi i gruas dhe i torturimit të saj quhet, sipas shumë mbrojtësve të këtij veprimi, si një pëlqim nga ana e vetë grave. Gjë që lë vend shumë për dyshim ( për mua s’ka asnjë dyshim) sepse, sepse, siç thotë dhe gazetari dhe siç e mendojmë dhe ne vetë gratë, nuk ka qënie njerëzore që të dëshirojë të pëlcasë nga vapa dhe të torturohet me dëshirën e saj. As ta shohë botën nga një hapësirë e ngushtë, e kufizuar. Pra, është në kundërshtim me të gjitha normat tona shoqërore e ligjore për të mos ushtruar dhunë ndaj një qënieje tjetër njerëzore dhe për të jetuar i lirë e i barabartë me të tjerët.

Së treti, ky mbulim është dhe në kundërshtim me rregullat kundër terrorizmit ( pa paragjykuar aspak rastin në fjalë) , por, nëse nesër, ndonjë terrorist do të dojë të maskohet si grua e mbuluar, duke mbajtur poshtë fustanit pa formë e të gjerë armë të ndryshme, kjo vë në rrezik shoqërinë tonë. Ky rrezik i mundshëm, që mund të maskohet nga mbulimi, diskutohet gjerësisht edhe në Francë, Gjermani e Itali e në vende të tjera europiane.

Së katërti, shoqëria jonë ndoshta duhet të flasë më shpesh dhe t’i diskutojë këto probleme që nuk janë të vogla dhe që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj: do të shkojmë drejt një shoqërie demokratike,europiane, apo do të rikthehemi në Mesjetë? Të gjitha sakrificat që populli ynë ka bërë deri më sot, për të jetuar i lirë, në demokraci dhe në barazi shoqërore, do të shkelen me këmbë dalëngadalë e si pakuptuar, për hir të gjoja respektimit të feve, duke shtypur gjysmën e popullsisë dhe duke e varrosur atë nën rrobat e zeza? Sigurisht, ky kthim prapa nuk është kaq i lehtë, por le të themi – a do ta duam ne shoqërinë tonë me këto dukuri anti- njerëzore, që shkelin të gjitha të drejtat civile për të cilat kemi luftuar me aq këmbëngulje?

Së pesti, kjo nuk ka lidhje vetëm me fenë islame dhe rregullat që ajo i vendos komunitetit të saj fetar. Nëse fetë e tjera, kristiane apo cilatdo qofshin, shfaqin dukuri të tilla diskriminuese dhe prapambetëse për shoqërinë, qëndrimi duhet të jetë i njëjtë.

Aq më tepër që personalisht mendoj se të gjitha fetë në thelbin e tyre i diskriminojnë gratë dhe se shoqëria njerëzore, ku pushtetin e kanë patur burrat, ka qenë shumë e padrejtë përsa i përket grave. Aristoteli shkruante se “Superioriteti i burrit ndaj gruas është në interesin e përbashkët të familjes”. I respektuari Hegel shkruante se “Shteti është vokacion i burrit...”. Në kushtetutën e Napoleonit shkruhej se të drejtë vote nuk kishin « … fëmijët, debilët mendorë dhe gratë”. Musolini, kur erdhi në fuqi shpalli menjëherë një urdhëresë ku ndaloheshin gratë të emëroheshin në poste si drejtoresha shkolle etj. “Opinioni im, shkruante ai, është se ...gruaja nuk duhet të ketë rëndësi në shtetin tonë”. Al Bukhari, një nga shkruesit dhe interpretuesit e hershëm të Kuranit, i kundërshtuar me forcë nga gruaja e fundit e Muhametit, Aishja, përsëriste shpesh thënien e vjetër të hebrenjve: “Tri gjëra e sjellin fatin e keq - shtëpia, gruaja dhe kali”. Sipas Biblës, gruaja lind nga brinja e burrit.

Këtu më poshtë do të jap një fragment nga libri Veli dhe elita mashkullore, i sociologes marokene me reputacion ndërkombëtar, Fatima Mernissi. Mernissi ka dhënë mësim për shumë vite në Universitetin Muhamet, në Rabat. E ftuar si lektore në shumë universitete të botës dhe autore e shumë librave mbi Islamin, mbi marrëdhëniet e tij me gratë, me pushtetin, me shoqërinë. Sot vepra e saj citohet në të gjithë botën, si një nga analizat më interesante për Islamin dhe shoqërinë e sotme në vendet arabe. Ky fragment flet për historinë e velit ( hixhab.)

“Islami është një sistem koherent vlerash që drejton të gjitha sjelljet e individit dhe të shoqërisë dhe projekti barazitar i Muhametit, në fakt bazohej në një detaj, që për këshilltarët e Shokët e tij, të udhëhequr nga Umari, dukej i rëndësisë së dorës së dytë: vullneti i gruas ishte një çështje urgjente, sepse kështu organizimi i shoqërisë merrte rrugë të mbarë. Por, për Umarin zgjidhja ishte më e thjeshtë: ai kërkonte që Profeti të jepte leje të vendosej hixhabi për gratë. Ai i përsëriste Profetit: O lajmëtar i Zotit, në shtëpinë tënde vijnë lloj lloj njerëzish, të mirë e të këqinj. Përse nuk urdhëron të mbulohen gratë dhe nënat e besimtarëve? – Por Profeti këmbëngulte kundër hixhabit, pa qenë në një mendje me Umarin. Umari ishte trim, i drejtë, i ndershëm, jo-egoist, i mëshirshëm, por nuk binte në një mendje me Muhametin për një besim ku virtytet si mirësjellja dhe jo-dhuna, siç frymëzonte ky besim i ri, nuk i kuptonte dot. Për të, e vetmja mënyrë për të rivendosur rendin ishte të ngriheshin barriera dhe të fshiheshin gratë, të cilat ishin objekt zilie. (...) Për fatin e keq të Islamit, konflikti dhe debati mbi këtë çështje u zgjidh në fund të jetës së Profetit, kur ai ishte i moshuar dhe kur kishte shumë probleme ushtarake në qytetin ku shpresonte të realizonte të gjitha sfidat e tij. (…) Filozofia e velit, që mbronte Umari është e qartë. Ata që sulmonin gratë justifikoheshin me faktin se “na i kapin si skllave” dhe se “Zoti i ka urdhëruar gratë të ndryshojnë rrobat që të dallohen nga skllavet dhe këtë duhet ta bëjnë duke u mbuluar me hixhab. ( veshje e gjatë e gjerë, si mantel, me kapuç që mbulonte dhe kokën) (...) Pra, gratë e lira duhet të dalloheshin nga skllavet (...) Menjëherë zbriti vargu nga Qielli – që mbuloi gratë: O profet! Thuaju grave të tua dhe vajzave të tua dhe grave të besimtarëve të mbështillen me rrobë ( kur dalin përjashta). Do të jetë më mirë, se nuk do të njihen dhe nuk do t’i prekë kush”.

Dhe, shkruan më tej Fatima Mernissi, “në betejën midis ëndërrës së Muhametit për një shoqëri në të cilën gratë mund të lëviznin lirisht nëpër qytet, (sepse kontrolli shoqëror do të ishte besimi mysliman, që e disiplinon dëshirën), dhe mendimeve të grupit që mendonte se gruaja ishte vetëm objekt zilie dhe dhune, fitoi ky vizioni i dytë, që vazhdon edhe sot”.

Gratë u ndanë në dy kategori: ato që mund të mbroheshin nga veli dhe ato që mund të rriheshin e të fyheshin, që ishin skllavet. Në fakt, situata është krejt e ndryshme nga qëllimi “pozitiv” i mbrojtjes, siç mendonte Umari dhe pasuesit e tij. Sot, e në gjithë shekujt që atëhere, në të vërtetë gratë u mbuluan, u nënshtruan, u shtypën e u dhunuan, u dënuan me heqje lirie, sepse, mbulimi është heqje lirie.

Por, t’i rikthehemi debatit tonë. Siç e shohim, edhe në vendet ku rregullat e vjetra të Islamit, të vendosura që në fillimet e tij, sundojnë akoma, ka debat e diskutim, shkruhen libra e sqarohen gjëra, luftohet kundër velit, etj., tek ne pranohet me të famshmen shprehje të shkujdesur tonën : s’ka problem !

Ndërkohë ka shumë problem : ku po jetojmë, në Mesjetë a më herët, me një shoqëri me skllave dhe jo –skllave apo në atë që jetojmë sot? Ndoshta është koha t’i shohim gjërat në sy e të shkëputemi nga kompleksi se mos dukemi si ish regjim komunist po të themi një gjysmë fjale kundër ndonjë feje.

*E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al