#SugjerimeteMirës

Një sugjerim tërësisht personal

Një sugjerim tërësisht personal

Ju kisha premtuar që do të shkoja në "Adrion" këtë javë, por koha ka qenë kundër vizitave për libra. Amerika me zgjedhjet e saj na përpiu aq shumë dhe e di që duket qesharake për ndonjë suedez e mbase edhe këtu ndonjë syresh jo dhe aq pa të drejtë e quan këtë përqëndrim megalomani, inferioritet, por personalisht mendoj krejt ndryshe. Amerika ishte një leksion dhe rast për studim. Trumpizmi është një pyetje e madhe dhe ndoshta falë Trump bota duhet të ulet e të mendojë se çfarë po ndodh me shoqëritë. Sikundër të enjten kuptova se Amerika mbetet Amerikë kur të gjithë mediat një e nga një i hoqën fishën presidentit Trump teksa thoshte gjëra që i kemi dëgjuar prej 30 vjetësh këtu në Shqipëri dhe i postojmë si qingja si lajme të mëdha të ditës. Ne kemi kohë që e lëmë gënjeshtrën të shëtisë ngaqë mungon sinkronizimi, por kjo është një temë thellësisht e trishtueshme që ky brez zor se do ta ballafaqojë. Kështu iku java me Amerikën si echo në kokë dhe u harruan librat.

Vendosa t’ju tregoj diçka që e kisha në plan për ta ndarë me ju një herë tjetër. I erdhi radha më shpejt pra!

Unë, sot që m'u desh për shkrimin, dallova që në Instagram kisha 1903 following, gati 2 mijë. Ndonjëherë gjej edhe ca njerëz që postojnë tërë fisin brenda një dite, por për sa kohë nuk shajnë e nuk postojnë shpifurina i lë dhe nuk klikoj opsionin e hakmarrjes instagramore ‘unfollow’.

Kam ‘follow’ pothuaj të gjitha faqet informative, amerikane, britanike, italiane, edhe ato franceze (tek këto frënget përdor opsionin shpëtimtar 'see translation' por duhet t’u kem bërë follow për bukurinë estetike të mendimit që përçojnë).

Sigurisht, mes përafro 2 mijë adresash, kam adresa të preferuara që janë pak në numër e që do t'jua shkruaj më poshtë. Nisim!

1-Faqja ime e preferuar është Goop. Është, sipas mendimit tim, faqja më e mirë për momentin dhe CEO e saj, Guineth Paltrow, ka meritë për idenë por edhe fatin që gjendet mes një ambienti ku ka më shumë profesionistë sesa punë. Futu dhe zbuloje nëse je i velenosur nga idiotësi dhe vanitete me të njëjtat poza, veshje dhe pamje.

2-Anisa Kushta, me memet dhe batutat e saj, është një vajzë me ironi, kripë dhe sidomos jo pompoze. Anisa me sarkazmën e saj vë në lojë fenomene, të bën të qeshësh, të mendosh dhe ajo ç'ka vlen se kam parë të fyejë kënd. Ka bërë ironi dhe me mua dhe ç’tju them kur të vënë në lojë me vend dhe me stil, meritojnë t’u heqësh kapelën.

3-Unë vdes për Interior Design. Po të kisha pasur një jetë të dytë, do të ndërtoja shtëpi, do t’i arredoja dhe do t’i shisja.

Ndjek faqe të ndryshme nga archdigest, Melissa Penfold - bëji follow sepse është gazetare, eksperte stili dhe këshilluesja më e mirë e shtëpive. Sa herë që jam blu shkoj tek GOOP, Melissa ose tek të gjitha markat e këpucëve italiane, sidomos Fratelli Rossetti.

Në fushën e interior design në Shqipëri do zgjidhja Martini Design. Nuk janë shumë aktivë, sepse shqiptarët janë supersticiozë me shtëpitë kryesisht, por në këtë faqe mund të gjeni pak shtëpira si ‘jashtë shtetit’.

4-Për kuzhinën isha varianti Giallozafferano deri nga fillimi i pandemisë, jo nuk e shoh, por ka edhe më mirë, shumë më mirë. Si p.sh Nytcooking. Njerëz të talentuar dërgojnë receta e tyre personale dhe janë të thjeshta, të bukura për t’i parë dhe nga larg duken të shijshme. Vetëm se kanë ca produkte ndonjëherë që s'di a gjenden në Shqipëri, por prapë ia vlen.

Adas'all është faqja që më pëlqen dhe për këtë ka rënë dakord edhe mami.

Nëse dua të shoh artin në kuzhinë, shkoj prapë në vendin e duhur, në Francë. Alain Passard është mrekullia mbi tokë. Ferma e tij është si një pikturë, gjendet afër Parisit dhe aty merr çdo gjë për restorantin e tij të famshëm të cilin e frekuenton edhe çifti Macron. Sikur vetëm karotat, finokët dhe patatet nuk di sa ngjyra kanë tek ai, madje edhe preshi. Një ditë ëndërroj të shkoj në restorantin e tij në Paris. Nuk i dihet kurrë.

5-Tiranapost.al ose @post.tirana është portali im i preferuar. Dhe nëse ka ndonjë orë kur ngjarjet e ditës arrijnë pikun e heqjes së fishës, por që këtu s'jemi në Amerikë, shoh tek një faqe shqiptare që e kam përzemër @bota.al

The New Yorker magazine është po aq një dashuri me shikim të parë.

Kur të dalin këto në scroll, mund të të duket vetja njeri normal dhe ndoshta pak më i mirë.

Dita ditës po kuptoj se ne jemi çdo gjë që na del në celular dhe bëhemi si dëshirat tona, si njerëzit dhe gjërat që ndjekim nga pas apo si edhe ato që heqim dorë ose iu heqim fishën!

Fundjavë të mbarë