Politikë

Aleksandër Meksi: Unë kryeministri që rrita dy herë çmimin e  bukës dhe të nesërmen shkoja në këmbë në zyrë

Aleksandër Meksi: Unë kryeministri që rrita dy herë

Ish-kryeministri i parë i pluralizmit Aleksandër Meksi, i tërhequr nga politika që pas konfliktit civil në 97, herë pas herë shfaqet në ndonjë intervistë nostalgjike. I ftuar në emisionin e mëngjesit më ABCnews, ka rënë në sy komenti i tij për rritjen e çmimit të bukës:

Enkel Demi: Ju jeni kryeministri që keni rritur çmimin e bukës?

Aleksandër Meksi: Dy herë. Mbaj mend “Zërin e Popullit”: Fillon kriza e bukës. Nuk ndodhi asgjë se u dhanë para, aq sa ishte kjo diferencë.

Enkel Demi: Dakord, po ka qenë një ngritje e frikshme. Buka kushtonte 52 lekë të vjetra, dhe të nesërmën kushtoi 400 e ca lekë të vjetra. Ishte një rritje nuk e di sa %. Ti atë ditë ke shkuar në këmbë në punë. Nuk ke marrë makinën. Nuk ke marrë truprojat. Ke shkuar në këmbë nga shtëpia deri tek zyra. Prisnim të të kishin fut në makinë mishi. Nuk ndodhi asnjë gjë. Si e shpjegon?

Aleksandër Meksi: Shqiptarët arritën ta kuptonin që po bëhej një ndryshim epoke, që do të kishte përmbysje të shumë sendeve. Atëherë nuk ankohej asnjë njeri kur hiqej nga puna, se iu dha asistenca. Ndërsa sot vazhdojnë përditë, përditë, edhe një miku im shkencëtar i respektueshëm, na flet për aksionet për këtë atë, për zboret ushtarake. Dhe një gazetare që takova aty poshtë, në një intervistë kur bëra 60 vjeç, më pyeti, çfarë keni bërë për gratë? Po i hoqën turnin e tretë brigadierët i thashë edhe zboret ushtarake, duke qeshur. Këto ishin ndryshime epokale që do të ndodhnin. Nuk e rrëzoi komunizmin Shqipëria. Ra si sistem se dështoi në radhë të parë në ekonomi dhe në radhë të dytë në marrëdhëniet politike.

Bëhet fjalë për vite kur shqiptarët sapo kishin dalë nga diktatura dhe pak ishin të vetëdijshëm për lirinë dhe të drejtat.

Pas 30 Vitesh shqiptarët janë tjetër lloj qytetari, gjithnjë e më kërkues, ose ankues për të drejtat e tyre. Edhe pse politika nga të gjitha kahet është më shumë pjesë e mentalitetit dhe moshës së kohës kur Meksi shkonte në punë pa ju futur gjembi në këmbë kur rriste çmimin e bukës.