Politikë

Basha po përgatit alibinë për mos njohjen e zgjedhjeve

Basha po përgatit alibinë për mos njohjen e zgjedhjeve

Asgjë nuk është ende zyrtare, por informacionet që vetë PD po shpërndan nëpër portale thonë se Basha në takimin me drejtuesit politikë të qarqeve ka bërë të ditur se nuk do të njohë zgjedhjet e 25 Prillit, proces për të cilin nuk shprehu asnjë kundërshtim ditën e votimeve apo në dy ditët në vijim, si dhe ka lajmëruar fillimin e një turi në të gjithë Shqipërinë ku do të prezantohen të gjitha provat e vjedhjes.

Sipas të njëjtave burime, Basha ka lajmëruar se PD po përpilon një dosje me dokumentimet e shkeljeve dhe i ka bërë thirrje të gjithë eksponentëve demokratë të kontribuojnë me informacione dhe të dhëna për këtë dosje.

“PD nuk mund të njohë një proces zgjedhor si ai i 25 prillit. Mos bini në kurthin e kundërshtarit. Mblidhni faktet e manipulimeve. Ne jemi duke grumbulluar fakte në rrugë ligjore për të mos njohur procesin e 25 prillit. Javën e ardhshme do të nis tur në çdo degë të PD-së”- raportohet se ka thënë Basha në mbledhje.

Ky vendim është paraprirë nga deklarata e mëngjesit, ku Basha tha se “beteja vazhdon deri në fitore”. Me gjasë, bojkotimi i parlamentit dhe format alternative të të bërit opozitë do të vazhdojnë edhe në legjislaturën e ardhshme.

Tiranapost.al