Giorgia Meloni ndan postimin e Ramës lidhur me marrëveshjen për emigrantët: Grazie Edi

Reagimi i Kryeministres italiane erdhi mbrëmjen e së martës, pas lajmeve të publikuara në mediat ndërkombëtare mbi një ndërprerje të mundshme të marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët pas vitit 2030. Debati nisi pas një interviste të ministrit të Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, në një media të huaj.
Pas interpretimit të deklaratës së tij, Hoxha sqaroi se përgjigjja ishte keqkuptuar nga mediat. Ai theksoi se, gjatë një pyetjeje në Bruksel mbi mundësinë e rinovimit të protokollit pas periudhës fillestare pesëvjeçare, kishte deklaruar se nuk ishte i sigurt, duke nënkuptuar se deri atëherë Shqipëria mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe rrethanat mund të kenë ndryshuar.
Sipas tij, deklarata ishte një reflektim spontan dhe jo një ndryshim i qëndrimit zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj marrëveshjes me Italinë.
Më pas reagoi edhe Kryeministri Rama, i cili ritheksoi se protokolli mes dy vendeve mbetet në fuqi dhe se nuk ka asnjë paqartësi politike për vazhdimësinë e tij.
“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po më kontaktojnë për një citim të keqinterpretuar nga një media pas intervistës së ministrit të Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë se protokolli ynë me Italinë do të qëndrojë në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron”, u shpreh Rama.
Në mbështetje të këtij qëndrimi, Meloni shpërndau deklaratën e Ramës në rrjetet sociale, duke shkruar shkurt: “Grazie Edi”.