Kryemadhi: Do kthejmë në normalitet ambientin, tokën, ujin dhe ajrin

Na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, dhe partitë me kryetarët kanë nisur me premtimet dhe programet e tyre elektorale. Në një videomesazh të postuar mëngjesin e sotëm, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi premton standarde dhe cilësi të karburantëve, si dhe ulje të ndjeshme të kostos së tyre në rreth 20 % duke hequr taksën e qarkullimit: Do kthejmë në normalitet ambientin, tokën, ujin dhe ajrin nga ndotja e nga zhvillimi industrial i papërgjegjshëm, thotë ndër të tjera Kryemadhi.
Ndërkaq, premtim për uljen e kostot së karburantit dhe cilësi të standardeve europiane ka premtuar edhe kreu i PD-së Lulzim Basha.
Ai ka thënë: 'Ne do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot. Jo vetëm që do të kurseni para, po edhe Shqipëria do jetë më e gjelbër, më e shëndetshme dhe më e pastër. Ne do të rrisim sigurinë e furnizimit me energji në vend, përmes investimeve në burime energjie të gjelbra e të pastra'.
LSI dhe PD do të kandidojnë me lista veçmas në zgjedhjet parlamentare.
*Tiranapost.al.