Kryeministri për Zvërnecin: Nesër është radha ime të flas për të vërtetat dhe të pavërtetat

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet e ditëve të fundit për projektin e paralajmëruar në Zvërnec.
Në një postim në platformën X, Rama theksoi se projekti “nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha” që, sipas tij, janë hedhur në qarkullim gjatë ditëve të fundit.
“Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në orën 10:00”, shkroi kreu i qeverisë, duke njoftuar se do të dalë live për të sqaruar publikisht çështjen.
Postimi i Ramës:
Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.
Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës.
Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura.
Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10.00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht.