
Ish-Presidenti Ilir Meta i cili vetëm një ditë më parë përfundoi mandatin 5-vjeçar në krye të shtetit ka zbuluar emrin e ri që do të marrë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Gjatë fjalës përmbyllëse të Konventës së kësaj partie, ku janë parashikuar edhe ndryshimet në statut që kanë të bëjnë pikërisht me emrin e ri që do marrë kjo forcë politike 18 vite pas themelimit të sa, Meta tha se partia e re, që me shumë gjasë do drejtohet përsëri prej tij, do të quhet partia e Lirisë.

Pjesë nga deklarata e Ilir Metës në Konventën Kombëtare:
Ne e krijuam LSI-në për të shpëtuar procesin e integrimit europian që e bllokoi Fatos Nano, për hajdutërinë e tij në dogana. Ishte ai rotacion falë LSI-së që Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e asocim stabilizimit në 2006. LSI bëri çdo gjë dhe për statusin dhe për marrjen e rekomandimit, por e dini se ku jemi tani ka vetëm një rrugë, referendumi është garancia që Shqipëria do jetë e shqiptarëve. Prandaj ju ftoj nga partia e LSI-së në Partinë e Lirisë, në partinë e sovranitetit, në partinë e referendumit.

LSI u krijua në 6 Shtator 2004. Kryetar LSI-së që nga themelimi ishte Ilir Meta por me zgjedhjen e këtij të fundit si Presidenti i Shqipërisë në krye të partisë në prill 2017 u zgjodh Petrit Vasili. Pas rezultateve të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017 Vasili dha dorëheqjen duke propozuar si kryetare Monika Kryemadhi.