McAllister: Çështja “Balluku”, një test kritik për Shqipërinë në adresimin e korrupsionit

Në një konferencë për mediat të mërkurën, Kryetari i Komisionit për punët e jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, dha detaje pas takimeve me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Elisa Spiropali, përfaqësues të mazhorancës, Kuvendit dhe opozitës. McAllister theksoi se vizita vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe i bëri thirrje politikës që t’i mbajë duart larg drejtësisë.
Sipas McAllister, testi që mazhoranca socialiste të tregojë se nuk është kundër luftës kundër korrupsionit lidhet pikërisht me çështjen e zv/kryeministres dhe njëkohësisht ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku:
“Çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”.
McAllister pranoi se kjo temë është diskutuar edhe në takimin me kryeministrin Edi Rama, por theksoi se vendimet politike janë në tagrin e tij:
“Kjo nuk është vetëm një pyetje që lidhet me pjesën juridike, por ka të bëjë edhe me përgjegjësinë politike dhe kjo duhet të zgjidhet nga qeveria shqiptare”.