Politikë

Ministri Demo: Elefanti në dhomë është reforma territoriale

Ministri Demo: Elefanti në dhomë është reforma territoriale

Në një konferencë për shtyp ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo foli mbi sfidat e qeverisjes vendore, Akademinë e Pushtetit Vendor, Paketën e Maleve dhe sidomos reformën territoriale. Këtë të fundit, Demo e konsideroi “elefantin në dhomë”, si elementin kyç për të lehtësuar menaxhimin lokal, në funksion të zhvillimit të vendit me synim integrimin europian.
“Reforma territoriale është instrument i rëndësishëm që bashkitë t`i kenë asetet dhe potencialin e rritjes që në fillim, duke qenë të gatshme t`i përballojnë sfidat.

Procesi do të fillojë për pak ditë do të jetë transparent, gjithëpërfshirës, jo thjesht bashkitë, por shoqëria duhet të jetë e përfshirë.
Reforma territoriale duhet të bazohet në të dhëna dhe në eksperiencën që kemi.
Reforma territoriale, nëse e përdorim ashtu siç duhet, shpresoj të mos zgjasë vetëm 10 vjet, por shumë më gjatë”, tha ndër të tjera Ervin Demo.
Pyetjes: A do i cënojë kompetencat e bashkive reforma territoriale?

Ministri Demo, iu përgjigj:
Aktorë të ndryshëm e shkojnë në këndvështrimin e tyre reformën territoriale. Ky është një rast i mirë të bëjmë edhe një analizë të funksioneve të pushtetit vendor.
Nuk duhet ta perceptojmë sikur po vizatojmë ca kufij të rinj. Duhet të shikojnë ato që mund të jenë sfidat e së nesërmes, se nuk do të jenë nesër, sfidat e djeshme”, tha ministri Ervin Demo.
Pyetjes nëse ka një numër se sa bashki do të jenë në total pas reforms territoriale, ministri nuk iu përgjigj me shifra konkrete, duke e vënë theksin jo tek sasia, por tek cilësia që ato duhet të kenë.