Politikë

Përplasjet në veri të Kosovës, Sveçla: 6 terroristë po mjekohen në Novi Pazar, Serbia t’i dorëzojë

Përplasjet në veri të Kosovës, Sveçla: 6
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka kërkuar Serbisë që t’i dorëzojë Kosovës 6 personat që sulmuan Policinë e Kosovës, të cilët po mjekohen në Novi Pazar. Sipas tij ato duhet të dorëzohen tek autoritete e drejtësisë në Kosovë, për aktet terrorist.


“Vlen të theksohet se asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion sipas informatave të deritanishme gjashtë terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit, dhe kërkojmë nga Serbia që ata t’i dorëzojë menjëherë autoriteve të Kosovës, për aktet e tyre terroriste”, u shpreh Sveçla në konferencë.

Sveçla tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator. Ai argumentoi se sulmi nuk ishte ad-hoc, por ishte planifikuar për muaj të tërë. Sipas tij, në bazë të dokumenteve, nënkryetari i Listës Serbe–partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – Millan Radoiçiç, është i lidhur me sulmin.

“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radoiçiç, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.