Seanca në Gjykatën Administrative, Veliaj: S'jam këtu për mëshirë. Por arrestimi im është kurth

Sot në Gjykatën Administrative u shqyrtua padia e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados si prokuror. Veliaj është shfaqur në seancë me librin e Fan Nolit në duar, në fotot e siguruara nga mediat.
Mësohet se në fjalën e tij, kryebashkiaku është shprehur se prokurori Dado nuk e ka mbaruar shkollën e Magjistraturës, e megjithatë lejohet të arrestojë njerëz. Ai ka deklaruar se procesi kundër tij është kurth.
“S'jam këtu për mëshirë, apo për dramën e familjes time. Ols Dado s’ka mbaruar Magjistraturën, por arreston njerëz. Kallëzimi ndaj meje është bërë nga një njeri që nuk ekziston. Kam frikë se është një kurth ky proces im. Pas kallëzimit të Nesti Angonit, çështja u regjistrua pas 7 muajsh dhe jo pas 2 javësh sipas afatit. Regjistrimi i çështjes ndaj meje nga dora e një njeriu që ka marrë porosi”, mësohet të kenë qenë disa nga fjalët e Veliajt në seancën që po vijon.
Gjykata në fund vendosi të shtyjë procesin më 8 maj.