Qyteti

Ndërtohet nga e para kopshti 37 në Tiranë

Ndërtohet nga e para kopshti 37 në Tiranë

Pas 30 vitesh zaptim të godinës, Kopshti 37 në Njësinë 10 është pothuajse gati dhe shumë shpejt do të presë të vegjlit me kushte më të mira. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi nga afër punimet e fundit në këtë kopsht, tha se zaptimet që pengojnë të ardhmen e fëmijëve dhe të ardhmen e qytetit, nuk justifikohen.

“Do të bëjmë edhe punët e fundit me pastrimin, instalimet e vogla, mobilimin dhe në fund të gushtit do të hapen regjistrimet për fëmijët e banorëve, që janë në kufi mes Njësisë 10 dhe Njësisë 7. Ky kopësht ka qenë i zaptuar, ndaj kam një thirrje: Zaptimi i kopshteve, shkollave dhe çerdheve nuk justifikohet, është diçka që duhet t’i takojë së kaluarës. Më vjen mirë që kemi çliruar edhe hapësirën e fundit, dhe me dëmtimet që patën pas tërmetit disa ndërtesa totalisht të deformuara, patëm mundësinë të bëjmë një ndërtesë të re. I lutem komunitetit që t’i ruajmë këto ndërtesa. Në momentin që i çlirojmë, këto hapësira do të mbeten të qytetarëve, por sidomos të qytetarëve të vegjël, fëmijëve”, nënvizoi Veliaj.

“Hapja e 7 kopshteve dhe çerdheve të reja na çon mbi 100. Vërtet mburremi me 42-43 shkollat e reja, por kemi rikonstruktuar ose ndërtuar mbi 100 kopshte e çerdhe. Kemi bërë një revolucion sepse jemi ndoshta qyteti më i mirëshërbyer, kur vjen puna tek fëmijët. Ata mund të jenë vërtet 20% e popullsisë, por janë 100% e ardhmja e qytetit”, shtoi Veliaj.

Në fund, kreu i Bashkisë bëri edhe një ftesë për prindërit, kur tha se në fund të gushtit do kenë mundësi të regjistrojnë fëmijët e tyre në kopshtin e ri në Njësinë 10.